‘Rrahje’ pas ndeshjes Drita – Trepça 89′, flasim Liridon Leci dhe Abedin Zeka – tregojnë se çka ndodhi!

Në fushë ishte gjithçka mirë – por jo edhe jashtë saj.

Bëhet fjalë për takimin e xhiros së 28’të të Ipko Superligës, Drita – Trepça 89′.

Dy klubet me traditë në vendin tonë luajtën baras me rezultatin 1-1 në stadiumin e qytetit në Gjilan dhe gjatë ballafaqimit nuk kishte ndonjë ekses mes lojtarëve apo stafit të ekipeve.

Mirëpo pas përfundimit të ndeshjes, ka ndodhur e papritura. Lojtari i Dritës, Liridon Leci (i cili nuk luajti fare në këtë takim për shkak të kartonëve) është futur në zhveshtoret e stadiumit dhe ka pasur një konflikt me lojtarin kundërshtar të Trepçës 89′, Hasan Hysenin, gjithnjë sipas klubit nga Mitrovica.

GazetaBlic ka kontaktuar me dy klubet për të marrë detaje se çka ndodhi pas sinjalizimit të fundit të gjyqtarit.

Presidenti i Trepçës 89′, Abedin Zeka ka konfirmuar rastin për ‘GazetaBlic’, duke thënë se Leci e ka goditur Hysenin dy apo tre herë në zhveshtore, megjithëse pranon se nuk ishte në vendin e ngjarjes.

Zeka: Nuk jam i frustruar me Dritën, por me Lecin.

“Të them të drejtën nuk kam qenë aty dhe nuk e kam parë rastin se si ka ndodhur, por unë isha me Lecin ulur lartë – pasi ai nuk ka qenë sot në formacionin e Dritës dhe ai më tha se kur kemi qenë në Mitrovicë (Hyseni) më ka sharë dhe unë i thashë që ai nuk guxon të fyejë as ty dhe askënd gjatë lojës. Kur përfundoi ndeshja unë shkova i përgëzova lojtarët për një paraqitje të mirë dhe Drita na priti dhe na përcjelli mirë”, tha fillimisht Zeka.

“Kur ka përfunduar ndeshja Leci ka hyrë në zhveshtore – kjo nuk është pritur pasi në ndeshje nuk pati asnjë ekses dhe pas daljes së lojtarëve. Leci e ka goditur dy apo tre herë nga mbrapa. Për neve shqiptarëve kjo është pak e rëndë – pasi ai e ka sulmuar në mënyrën tinëzare, mua më vjen keq prej Dritës se kjo është përgjegjësi e klubit të tyre. Vëzhguesi ka shkuar dhe ka fotografuar. Lojtari ka pak syrin e nxirë – pasi ka pranuar goditjen në sy. Mua më ka ardhur pak rëndë që e ka sulmuar në mënyrën tinëzare, sepse ai nëse është burrë, i del në rast se ata kanë ata diçka mes vete. Këto sjellje nuk ka çojnë askund dhe jam shumë i zhgënjyer nga Leci, por jo nga Drita – sepse klubi nuk ka çfarë të bëjë. Ai po të ishte burrë nuk do ta bënte një sjellje të tillë”, përfundoi Zeka për ‘Blic’.

Lojtari i cili është përfshirë në gjithë këtë rrëmujë, Liridon Leci ka zbuluar gjithashtu se çfarë ka ndodhur pas ndeshjes, duke treguar se lojtari i Trepçës 89′, Hasan Hyseni e ka ofenduar atë në baza shumë të rënda familjare në ndeshjen e zhvilluar  me 24 shkurt në Mitrovicë (1-0).

Leci: Më ka sharë gjithë familjen para 1 muaj e gjysmë, nuk ka qenë punë grushtimi, por punë sqarimi. 

“Nuk kam çka mi dhanë zjarr më shumë këtij muhabeti, një person i cili të shanë pa i bo kurgjo hiç me grua, me rob, me fis për 90 minuta (1 muaj e gjysmë më herët ka ndodhur kjo), atëherë nuk e di se çfarë pret ai. Jam i revoltuar dhe nuk është absolutisht e vërtetë se çka kanë thënë ata. Unë nuk e kam fyer atë – unë i kam thënë atij ’90 minuta kurrë mos u ndal duke më sha, se nuk bi në provokimin tënd’, mirëpo kur të fyhet farefisi, atëherë kalon në çështje tjetër, pasi nuk ka të bëjë më me futboll. Nuk më ka fyer vetëm njëherë, por 90 minuta pa ndal – pa pasur kurrë kurrfar kontakti me të. E kam paralajmëruar Abedin Zekën, kryetarin e tyre dhe vetë lojtarin. Unë i kam thënë Zekës që ai më ka fyer dhe ai më tha se nuk shan më, se kam ndëgjuar i kam tërhequr vërejtjen. Kur një kryetar i klubit më thotë se e di që shan dhe ja kam tërhequr vërejtjen… Njeriu shan në afekt, por jo 90 minuta të gjithë familjen. Nuk ka qenë punë grushtimi, por punë sqarimi”, ka zbuluar Leci.

SHPËRNDAJE