Rrëfehet komandant “Leka”: Specialja pa legjitimitet, gabuam që e votuam

Salih Mustafa, ish-ushtar i UÇK-së, Hysni Gucati kryetar i OVL-UÇK-së dhe zëvendësi i tij Nasim Haradinaj, janë tre të arrestuarit e parë nga Gjykata Speciale. Ata po dyshohen kryesisht për krime lufte, të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Zonën Operative të Llapit, Nuredin Ibishi, ka thënë për Front Online se arrestimet e fundit të ish-pjesëtareve të UÇK-së, janë kryer nga një Gjykatë pa legjitimitet.

Kështu ai këto arrestime i ka quajtur skandaloze.

“Gjykatës i ka skaduar 5-vjeçari i parë dhe normal duhet të rimandatohet në aspektin e legjitimitetit të saj. Çështja tjetër është që pas këtyre rasteve skandaloze të dosjeve që u shpërfaqën është e papranueshme që nuk u ndërmorën një hetim i mirëfilltë policor, një konfirmim edhe i autoriteteve vendore të sigurisë dhe normal edhe i Dhomave të Specializuara, gjegjësisht i Gjykatës Speciale një konfirmim se çfarë është në pyetje dhe a janë këto si dosje origjinale apo janë të falsifikuara apo gjysmë të falsifikuara dhe në çfarë forme erdhi deri tek shpërfaqja e tyre gjegjësisht vet dërgesa e tyre tek Shoqata e Luftës”, ka thënë.

Ibishi për Front Online ka konfirmuar se nga Specialja është intervistuar vetëm në cilësinë e dëshmitarit.

“Unë kam qenë i ftuar në cilësinë e dëshmitarit”, ka konfirmuar ai.

E votoi Specialen, tani thotë se klasa politike gaboi rëndë

Nuredin Ibishi asokohe, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte votuar për formimin e Gjykatës Speciale në Kosovë. Mirëpo tani ai po konsideron që votimi i kësaj Gjykate ka qenë gabim i klasës politike.

“Klasa politike ka gabuar qysh atëherë kur ka filluar me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe kur janë dhënë shenjat e para për nisjen e një gjykate të tillë. Pra në Asamblenë Parlamentare, kur nga klasa politike do të thotë nga Qeveria e atëhershme në pushtet nuk ka ndërmarr asgjë që të lobohet që kjo Gjykatë të mos votohet dhe të mos miratohet në Asamblenë Parlamentare një nismë e tillë”, ka thënë ai.

Ibishi poashtu foli edhe për elementet e ngritjes së kësaj Gjykate, e që sipas tij ishin qëllime tjera nga ato me të cilat sot po vepron ajo.

“Pretendimet e para kanë qenë për trafikim organesh dhe më pas ajo u konvertua në diçka krejt tjetër për krimet e pretenduara të pjesëtareve të UÇK-së dhe tërë kjo bën që u nis me një qëllim të caktuar politik dhe shtyse nga Serbia apo edhe nga Rusia”, ka thënë ai.

Komandant “Leka”: Kemi kërkuar që Gjykata Speciale t`i hetoj edhe krimet serbe

Krahu i luftës ka kërkuar vazhdimisht që Gjykata Speciale t`i hetojë edhe krimet serbe në Kosovë. Kështu ka thënë për Front Online, ish eprori i lartë i Zonës Operative të Llapit, Nuredin Ibishi.

“Jo vetëm krahu i luftës por edhe ne deputetët e atëhershëm kemi kërkuasr që të jetë një drejtësi apo të kërkohet një përgjegjësi për të gjithë. Jo në mënyrë të ndarë për krimet e pretenduara nga pjesëtarët e UÇK-së. Kanë thënë se nuk mund të ndryshohet ky Ligj për Speciale për arsye se ka implikime pasi që rezoluta e implikon që të jetë e tillë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Komandanti në zonën e Llapit: Specialja ka konotacion politik

Komandant “Leka”, ka folur edhe për implikimet politike në Gjykatën Speciale. Sipas tij krimet serbe dhe ato të pretenduara se i ka kryer UÇK-ja nuk do duhej që të gjykoheshin ndaras.

“Ka konotacion politik. Si nuk ka. Konotacioni politik është në aspektin që po gjykon vetëm të drejtën e viktimave. Të drejtën apo përgjegjësinë e atyre që i kanë kryer krimet. Dihet se kush ka kryer krime në Kosovë, kanë kryer serbët, pra forcat ushtarake, policore, paramilitare dhe normal që nëse ka pasur eventualisht edhe përgjegjësi dhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por jo në mënyrë të ndarë të gjykohet vetëm UÇK-ja, apo krimet e pretenduara për UÇK-në dhe çdoherë e them që ka pasur edhe pretendime gjegjësisht politike ngase ajo nis krejt me qëllim tjetër”, ka thënë Ibishi për Front Online.

Për sa i përket ardhjes së dosjeve të Speciales në zyrat e OVL-UÇK-së, Ibishi theksoi se shpërfaqja e tyre është bërë nga pala serbe dhe se të njëjtat kanë ardhur nga po ky shtet.

“Gjykatën Speciale edhe pala serbe dhe edhe Ministria e Punëve të Brendshme serbe me shpërfaqjen e këtyre dosjeve shihet sikur një palë e involvuar mund të jetë edhe vet këto dosje të vijnë nga Serbia. Nuk i dihet dhe ata duhet që të deklarohen se nga kanë ardhur këto dosje”, ka thënë Ibishi për Front Online.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE