Rrëfehet kosovarja që e mposhti kancerin

Ishte dhjetori i vitit 2016, kur ajo kuptoi se gjendja e saj shëndetësore nuk është fare e mirë. Gjithçka filloi vetëm me disa simptoma të lodhjes. Kjo e kishte shtyrë Merita Pacollin të shkojë te mjeku dhe pas disa kontrolleve ajo kuptoi se është me kancer të gjirit. Për emisionin “Human” ajo rrëfen gjithë historinë e saj dhe luftën ndaj kancerit. Ky lajm ishte i papritur për të. Por, krejt çfarë duhej të bënte ishte të fillonte mjekimin për të trajtuar sëmundjen.

“Vazhduam procedurat me analiza të tjera rutinore, më pastaj intervenimi kirurgjik”, ka nisur rrëfimin e saj.

Pas intervenimit që kishte bërë, Pacolli ka qëndruar për 5 ditë me radhë e shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Pas kësaj, Pacolli duhej t’i nënshtrohej edhe disa procedurave të tjera mjekësore.

“Kontrollet rutinore që i bëja çdo 2-3 ditë… duhet një përgatitje psiqike”, ka treguar ajo.
Për të vazhduar trajtimin e saj, Pacolli duhej të shtrihej në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nga aty, mjekët ia kumtuan lajmin se flokët do t’i bien dhe pamja e saj do të ndryshonte.

“Mandej filloi procedura e kimioterapisë, mjeku onkolog m’i tregoi të gjitha procedurat…”, ka rrëfyer znj. Pacolli.

Sa u përket barnave, Pacolli thekson se disa i ka blerë vetë e të tjerat kanë qenë falas në Onkologji.

Ndonëse, i kishte pikëlluar shumë fakti se nëna, bashkëshortja, reja dhe vajza e tyre lufton me këtë sëmundje, e gjithë familja i qëndruan afër asaj në çdo moment. Kështu, Pacolli për gjashtë muaj është trajtuar me kimioterapi.

Ajo tani në qershor të këtij viti ka përfunduar terapinë e fundit me Herceptinë, e cilësuar si një nga sukseset në luftën kundër kancerit të gjirit.

Pacolli është shembulli më i mirë i një nënë e gruaje të fortë e cila nuk u dorëzua derisa mposhti këtë sëmundje.

Megjithatë, ajo çdo gjashtë muaj duhet të bëjë analiza për të përcjellë gjendjen shëndetësore.

Pacolli, e cila me profesion është psikologe, derisa ishte duke u trajtuar në Onkologji ka punuar me shumë pacientë, të cilët kanë qenë aty për t’u ndihmuar në aspektin psikologjik. Madje, tani ajo ka bërë një marrëveshje bashkëpunimi me një qendër kur ka raste për trajtimin e pacientëve.

Për të gjitha gratë që luftojnë me kancer të gjirit, Pacolli ka një mesazh.

SHPËRNDAJE