Rrëfimi për heronjtë e sotëm

Shkruan: Blerim Zhabari

Përveç çajit e ‘qebapave’, qyteti i Vushtrrisë ka edhe shumë e shumë vlera tjera pothuajse unike. Një prej këtyre vlerave dhe më e rëndësishmja, pa dyshim se janë edhe njerëzit e ndershëm dhe shumë punëtorë që jetojnë me punën e djersës së tyre.

Një prej këtyre familjeve është edhe familja e Xhaferi, që tradicionalisht merren me kultivimin e patates.

Të enjten ata kanë nis me nxjerrjen e patateve të hershme për të cilën thanë se është e cilësisë shumë të mirë, por ka edhe prodhimtari shumë të lartë.

Fermeri Vedat Xhaferi, i cili kishte mbushur disa traktor me patate nga arat e tija, i ka thënë Gazetës Online Veriu.info se është i kënaqur me produktin që po merr këtë vit.

‘Sot është dita e parë që kemi filluar me nxjerrjen e patates së hershme. Cilësia është shumë e mirë, por edhe pse është herët, edhe bereqeti po duket me qenë i mirë këtë vit i cili po mendohet të jet diku rreth 35 tonë për hektarë”, ka treguar Xhaferi për Veriu.info.

Krejt produktin që sot e ka nxjerr, ky fermer thotë se e ka të kontraktuar për në tregun e Shqipërisë me një çmim të mirë.

Derisa traktorët e mbushur përplot me patate shumë cilësore, të prodhimit vendor, të enjten pasdite po largoheshin nga arat mu në periferi të qytetit, një kilogram patate në dyqanet brenda vet qytetit të Vushtrrisë në të njëjtën ditë kushtonte 0.69 Euro.

Ndryshe prodhimet e patates nga arat e Vushtrrisë, jo vetëm që përmbushin nevojat e gjithë Kosovës, por ato përpunohen në çips, por edhe eksportohen jashtë vendit në rajon e më gjerë. Vushtrria po ashtu ka edhe Fabrikën e përpunimit të patates ‘Vipa Çips Pestova’, e cila prodhon çipsin unik nga arat e Vushtrrisë.

Rrëfimi për këtë familje punëtore e cila jeton prej punës së vet, dhe që përfaqëson edhe shumë familje tjera në Kosovë, tregon se me gjithë zhgënjimin, ka punë dhe mundësi të mira në Vushtrri dhe Kosovë, nga e cila mund të punohet dhe jetohet mirë.

Por këtyre fermerëve që merren me bujqësi nuk u shkojnë gjithmonë punët ‘vaj’, ata jo rrallë përballen me probleme nga më të ndryshmet, e nganjëherë edhe shumë të dhimbshme. Hiq më larg se këtë pranverë, fermerë të tërë u detyruan të hedhin patatet e pa shitura.

Me politikë nganjëherë edhe të çoroditur që po tregon shteti ndaj prodhuesve vendore e sidomos ndaj bujqve dhe prodhuesve vendor, ata sot në kuptimin e plotë të fjalës janë heronjtë më të mëdhenj të Kosovës.

Ndryshe nga plotë shtresa e individ të tjerë të shoqërisë që presin që shteti të bëj diçka për ta, dhe nga ata që marrin përditë nga shteti, bujqit sot janë heronjtë e vërtet të Kosovës sepse punojnë dhe besojnë në vendin e tyre shumë më shumë se të tjerët.

Prandaj edhe në raport me politikat e mbrojtjes së interesave të shtetit dhe të ardhmes së tij, bujqit e vyeshëm të Vushtrrisë, por edhe gjithë Kosovës sërish janë heronj. Sepse familjet e tyre dhe ata që punojnë në bujqësi po investojnë përditë dhe po besojnë shumë në shtetin e Kosovës.

 

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE