Rrena e kryptë e Presidencës për korrigjimin e kufijve

Diskutimet në opinion për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë një kohë të gjatë që kanë filluar. Këto bisedime është thënë prej kohësh që do të zhvillohen në mes presidentëve të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq. Tri takime janë mbajtur në mes të dy presidentëve, mirëpo asnjëherë nuk është thënë se në to është prekur tema e korrigjimit të kufijve.

Deri në verën e këtij viti janë përmendur rezultatet finale, siç është njohja e Kosovës nga Serbia apo anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Në fillim të verës, Thaçi e kishte prezantuar edhe një ide të re.

Zyrtarisht, për herë të parë në publik, përmes një konferencë për media me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, Hashim Thaçi tha se do të kërkojë që tri komunat me shumicë shqiptare, Presheva, Medvegja e Bujanovci t’i bashkohen Kosovës.

Hashim Thaçi:Se a do të mund të realizohet objektiva, e drejta e aspirata e qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe liderëve të tyre, e them me përgjegjësi të lartë, do të jetë shumë vështirë, pothuajse e pamundur, por se a do ta prezantoj në tavolinë, do të informoheni shumë shpejt, e me gjasë kjo edhe do të ndodhë.

Bekim Çollaku: Ky skenar në substancën e tij është duke u trajtuar gjatë këtij viti. Që nga fillimi i këtij viti mund të them që ka filluar të trajtohet jo vetëm ndërmjet dy palëve të përfshira dhe lehtësuesit, BE, por edhe nga shtetet e fuqishme që kanë rol thelbësor në kuadër të këtij procesi.

Vlerësimi: Dikush në Zyrën e Presidencës është duke gënjyer sa i përket temës për korrigjimin e kufijve. Presidenti Hashim Thaçi thotë se kërkesën për bashkimin e tri komunave të Luginës së Preshevës do ta vendosë në tavolinën e bisedimeve, në takimet e radhës. Në anën tjetër, këshilltari i Thaçit, Bekim Çollaku ka thënë se tema e korrigjimit të kufijve është diskutuar në tri takimet e para në mes të dy presidentëve, pra që nga fillimi i vitit. Cili është duke gënjyer në këtë pikë, nuk dihet. Por, mjegulla që vjen nga Zyra e Presidentit për kufijtë është një tendencë për manipulim me një prej çështjeve më thelbësore të një shteti, kufirin. Kundërthënës është edhe fakti që nuk është bërë transparent prej personave të përfshirë në bisedimet se cilat kanë qenë kërkesat e Serbisë kur është folur për korrigjim të kufijve./Kallxo.com

 

SHPËRNDAJE