Sa ditë ka në dispozicion Albin Kurti për ta formuar Qeverinë e re nga dita e mandatimit

Sot bëhen një javë që kur është zhvilluar takimi i fundit mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albn Kurti, dhe atij të LDK-së Isa Mustafa, por që përfundoi pa marrëveshje për bashkëqeverisje, shkruan gazeta online veriu.info.

Mollë sherri është bërë pozita e presidentit, të cilën Isa Mustafa po e kërkon me ngulm, pasi pozitat tjera përveç asaj të kryeministrit po i duken të parëndësishme për veten e tij.

Kjo këmbëngulje ka krijuar një situatë ende pa zgjidhje, duke e shtyrë marrëveshjen aq shumë të dëshiruar nga qytetarët që me 6 tetor votuan për ndryshim.

Por afatet kushtetuese tashmë kanë filluar për krijimin e insititucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se fillimisht konstituohet Kuvendi i Kosovës me të gjitha organet e tij, dhe pastaj procedohet me krijimin e qeverisë së re.

Kushtetuta parasheh që presidenti propozon kandidatin për kryeministër në konsultim me partinë apo koalicionin fitues, dhe mandatari ka 15 ditë në dispozicion për të paraqitur përbërjen e qeverisë se rë në Kuvend dhe të marrë miratimin e këtij insitucioni.

Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. – thuhet në nenin 95, pika 1.

KQZ ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit më 27 nëntor, prandaj Kuvendi i ri duhet të konstituohet deri më 27 dhjetor, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Mbetet të shihet nëse Vetëvendosje dhe LDK do të merren vesh për formimin e qeverisë se re dhe konstituimit të Kuvendit dhe organeve të reja./veriu.info/

SHPËRNDAJE