Sa mund të rrini, a keni mundësi punësimi apo banimi? Gjërat që duhet t’i dini pas liberalizimit

Shumë shtete europiane janë të vendosura të bëhen pjesë ose t’i bashkohen Zonës Shengen, por jo të gjitha mund ta bëjnë këtë menjëherë. Kjo për faktin se egzistojnë disa parakushte ose kritere, që vendet që dëshirojnë t’i bashkohen duhet t’i përmbushin.

E Kosova dje ka marrë rekomandim pozitiv për liberalizim nga Komisioni Europian, pasi siç u tha edhe nga vetë komisioneri për Punë të Brendshme të BE’së, Dimitris Avramopolus tashmë janë përmbushur kriteret.

Mirëpo, rekomandimi pozitiv nuk garanton lëvizje të lirë të kosovarëve. Kështu së paku u shpreh Avramopolus, i cili shtoi se kjo përgjegjësi tani mbetet në dorën e Parlametit dhe Këshillit Europian.

Sidoqoftë, Gazeta Metro ju sjell mëposhtë disa informacione në lidhje më lëvizjen e lirë të kosovarëve, ndër to: shtetet që mund t’i vizioni pa vizë në çastin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën, koha sa mund të qëndroni dhe a mund të udhëtoni në më shumë se një shtet Shengen, punësimi etj..

Çfarë është Zona Shengen?

Zona Shengen, e quajtur me emrin “Marrëveshja e Shengenit” nënkupton një zonë ku 26 vende të ndryshme evropiane, pranuan heqjen e kufijve të tyre të brendshëm me vendet e tjera anëtare, për lëvizjen e lirë dhe të pakufizuar të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Nëpërmjet zonës së Shengenit, kufijtë mes vendeve evropiane ekzistojnë vetëm në harta, pasi mbi 400 milionë shtetas të 26 shteteve anëtare, u garantohet liria e udhëtimit.

Lista më poshtë tregon shtetet që mund t’i vizitoni pa vizë në çastin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën.

Shtetet Anëtare të Zonës së Shengenit:

Austri, Belgjikë, Republika Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Slovakia, Sllovenia, Spanjë, Suedi, Zvicra, Liechtenstein.

Siç e shihni në listën e mësipërme, Zona Shengen ka njëzet e gjashtë (26) shtete anëtare, njëzet e dy (22) prej të cilave implementojnë plotësisht Zonën Shengen, dhe katër (4) prej tyre – anëtarë të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA ).

Tre (3) nga vendet evropiane në vijim janë anëtarë të zonës Shengen, por nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian: Islanda, Norvegjia dhe Zvicra.

Për sa kohë mund të qëndroni në Zonën Shengen?

Me liberalizimin e vizave, kosovarët mundë të bëjnë udhëtime të shkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos i kapërcejë të 90 ditët brenda një periudhe prej gjashtë muajsh (180 ditësh).

A mund të udhëtoni në më shumë se një shtet Shengen?

Po, ju mund të udhëtoni brenda zonës Shengen për aq kohë sa nuk e tejkaloni afatin kohor.

Punësimi dhe banimi?

S’duhet harruar që lëvizja e lirë do të vlejë vetëm për të udhëtuar për periudha të shkurtra, nuk do të të japin mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj ose për të gjetur punë. Për këtë duhet paraqitur kërkesa për një vizë afatgjatë pranë Ambasadës ose Konsullatës së vendit të zonës Shengen ku dëshiron të shkosh./Gazetametro

SHPËRNDAJE