Sami Lushtaku nuk i shkon në konak Bekim Jasharit

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk mori pjesë në seancën solemne të organizuar nga kjo komunë për nder të 19-vjetorit të Ditës së Çlirimit. Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Lushtakun, por është paraqitur asistenti i tij.

Ai ka thënë se Lushtaku nuk ka arritur të jetë pjesë e ceremonisë të organizuar nga komuna, për shkak të angazhimeve familjare dhe varrimit të Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Për shkak të angazhimeve të tij familjare dhe varrimit të Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit Ramush Haradinaj nuk ka arritur të jetë në ceremoninë e komunës”, ka thënë asistenti i Lushtakut.

Megjithatë, vlen të përmendet se seanca solemne e komunës për nder të 19-vjetorit të çlirimit ka filluar diku pas orës 10:00, kurse varrimi i Hilmi Haradinajt do të bëhet prej orës 14:00 në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

Ndërkaq, në seancën solemne e mori fjalën vetëm kryetari i Komunës, Bekim Jashari. Ceremonia nisi me intonimin e himnit kombëtar për të pasuar me atë shtetëror.

Në fjalimin e tij, Jashari ka thënë se nuk do të ndalen për të punuar edhe më shumë për qytetarët e kësaj komune.

Megjithatë, ai nuk la pa përmendur tërthorazi se nuk kishte mundësi të bënte më shumë, duke aluduar në bllokimin e kuvendit komunal nga asamblistët e PDK-së.

“Kam bërë aq sa ishte mundësia, jo sa ishte dëshira. Por ju e dini se nuk do të ndalemi, do ta bëjmë më të mirën e mundshme për besimin e dhënë, për të qeverisur me ligj, transparencë dhe llogaridhënie”, ka thënë Jashari gjatë fjalimit.

“E di, siç e dini edhe ju, se nuk jam i kënaqur, por besoni se do të bëjmë edhe më shumë, sepse ligji na obligon dhe detyrimi ndaj amanetit nga më të dashurit tanë për të dhënë për qytetarin dhe jo për të marrë nga qytetari”, ka shtuar ai.

Për më tepër, përplasja mes tij dhe ish-kryetarit të Komunës, Sami Lushtakut, erdhi pasi kryetari aktual Bekim Jasahri e akuzoi atë se ka gisht në bllokimin e punës së tij në Kuvendin Komunal.

Përveç kësaj, Jashari kishte thënë se nuk habitet me veprimet e Lushtakut, të cilin e akuzonte edhe për tradhti ndaj babait e axhës së tij gjatë luftës në Kosovë.

“Që tenton Sami Lushtaku të më bllokoj, kjo nuk më befason aspak, sepse Sami Lushtaku edhe babën e mixhën tim i ka lanë për 5 vjet dhe ka ikë në Gjermani, sepse është po ai Samiu që ka qenë”, kishte thënë Jashari gjatë një konference për media pas dështimit të mbledhjes së asamblesë komunale.

“Të gjitha këto lidhen ngushtë po këtyre individëve që i përmenda, pikërisht të kryetarit të degës së PDK-së, Sami Lushtaku dhe njerëzve të tij, sepse ata e dinë fort mirë se çka kanë bërë me këtë vend, i kanë marrë informatat se Bekimi (Bekim Jashari) nuk do t’ua mbulojë askujt të keqen, e këtu po ju dhemb atyre, e që Bekimi ka me dalë përball të gjithëve”, kishte thënë tutje ai.

Ndaj këtyre deklarimeve kishte reaguar edhe vetë Sami Lushtaku. Ai i kishte thënë Jasharit që të mos merrej me vitet e ’90-a, sepse ka qenë i vogël atëherë.

“Bekimi ka qenë i vogël atëherë. Unë e respektoj familjen Jashari, e respektoj kryetarin aktual. Kështu që, i uroj punë të mbarë në komunë dhe i them të mos merret me vitet e ’90-ta”, kishte thënë Lushtaku.

Pas këtyre tensionimeve të dhëna, ishte vetë kryetari Bekim Jashari i cili u shfaq në konakun e paraardhësit të tij, Sami Lushtaku.

Në një fotografi të publikuar, Jashari shihej në oborrin e shtëpisë së Lushtakut. Bashkë me ta ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Megjithatë, Jashari e kishte arsyetuar këtë vizitë, duke thënë se si nikoqir i kryeministrit, ishte vetëm shoqërues i tij në vizitën te Lushtaku.

“Sot kisha kënaqësinë ta takoj në Komunën tonë Kryeministrin e Kosovës z. Ramush Haradinaj me të cilin biseduam për projektet e Komunës së Skenderajt. Kryeminstrin e Kosovës z. Ramush Haradinaj e falënderoj për vizitën dhe mbështetjen e tij. Sot me kërkesën e tij si nikoqir i Komunës, e shoqërova z. Haradinaj, edhe në një ndejë private te ish-kryetari Sami Lushtaku”, kishte shkruar Jashari në llogarinë e tij në Facebook.

“Prandaj dua të sqaroj gjithë opinionin se unë si nikoqir i Komunës isha shoqërues i Kryeminstrit dhe asgjë më shumë. Vazhdoj të jem Kryetar i Skenderajt transparent, llogaridhënës dhe nuk ka asnjë lëkundje në projektet tona për zhvillim të Skenderajt dhe qëndroj prapa të gjitha deklaratave të mia për të gjitha zhvillimet. Qytetarët e Skënderajt po e shohin frymën e re të qeverisjes me transparencë dhe llogaridhënie, pa korrupsion me duar të pastërta, me synim të qartë arsimin dhe zhvillimin e Skenderajt”, kishte shtuar Jashari./Insajderi

SHPËRNDAJE