Serbisë i vjen sistemi rus i mbrojtjes ajrore, Pantsir S1

Gjatë fundjavës që e lamë pas, në Serbi kanë arritur sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, Pantsir S1, pavarësisht paralajmërimit për sanksione nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e dha njoftimin të dielën në televizion një ditë pasi ministri i mbrojtjes konfirmoi se fillimisht vendi do të pajiset me dy nga gjashtë sistemet e premtuara.

Vuçiqi la të kuptohet se këto sisteme janë blerë pas sugjerimit të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Blejeni Pantsirin, është dëshmuar shumë efektiv në Siri”, e citoi Vuçiqi presidentin rus në atë që e kishte thënë në takimet e fundit.

Këto sisteme mund të përdoren kundër raketave, aeroplanëve dhe dronëve, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian, por jo në NATO, Beogradi ka vazhduar t’i ruajë lidhjet e fuqishme politike dhe ekonomike me Moskën.

Dërgimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore erdhi vetëm një javë pas vizitës së ministrit rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu, në Beograd.

SHPËRNDAJE