Sërish vjedhje në Pediatri, nëna mallkon hajnin: I hyre në hak vajzës sime

Në Klinikën e Pediatrisë në QKUK nuk po ndalen vjedhjet e gjësendeve personale të pacientëve dhe familjarëve që i shoqërojnë.

Mbrëmë një nënë ka postuar një shkrim në Facebook ku ka treguar se si i është vjedhur kuleta me para dhe dokumente, derisa ishte e shqetësuar dhe pa gjumë duke u kujdesur për vajzën e saj.

Nëna A.G. ka porositur të gjithë familjarët në Pediatri ose qytetarët tjerë që nëse shohin një kuletë të kuqe të firmës “Grande” ta lajmërojnë në Policinë e Kosovës.

Në shkrimin e saj në Facebook nëna ka prekur të gjithë komentuesit pasi i është drejtuar hajnit me një porosi duke i thënë se i ka hyrë në hak vajzës së saj.

Kujtojmë se para disa ditësh edhe një nënë tjetër raportoi vjedhjen e dokumenteve të analizave të fëmijës së sëmurë me leukemi. Një pjesë e dokumenteve u gjetën një ditë më vonë nga qytetarët.

Lexoni shkrimin e saj të plotë:

“TI PASTË MORË TË LIGAT” – po më thonë gratë!!

Ti që sot shfrytëzove shqetësimin tim si një nënë me fëmiun e sëmurë e që shfrytëzove pagjumësinë time dhe fute dorën në valixhen e vajzës sime TU THAFTË DORA.

Ti që sot vjedhe kuleten time të kuqe që e mbaja kujtim për 4 vite me radhë me pretendimin që do gjesh “miliona” në të, të dënoft I Madhi ZOT ashtu siç e meriton.

Ti që mendove që do pasuroheshe më shumë nëse më varfëron mua, do japësh llogari para Krijuesit tënd në rend të parë.

Edhe pse unë nuk po të njoh ty, më lejo të tregoj se sot hyre në hakun tim e të vajzës sime pabesisht.

Më lejo të tregoj që mua nuk më varfëron dot në këtë mënyrë. Përkundrazi ke varfëruar e ke poshtëruar vehtën tënde.

E përveq shqetësimit të humbjes të të gjitha dokumenteve në të, dhe humbjes së fotos së gjyshit tim të ndjerë, ti i/e nderuar “HAJN” me veprën tënde të turpshme nuk ngjalle shqetësim tjetër me të madh tek unë.

E tani me lejo të prezantohem!

Unë jam një nënë e vetme që nuk rrezohem as nga fortunat më të vështira të jetës e lëre më nga një hajni e pabesi. Unë jam ajo që nuk dorëzohem kurrë dhe asnjëherë para askujt dhe asgjëje sepse falë Zotit kam DHURATËN më të shtrenjtë që më mbush me plot jetë e shpresë. Kam vajzën time të shtrenjtë e cila më motivon çdo ditë të ja dal mbanë.

Të gjithë ata që mund të kenë dyshime apo mund ta kenë parë kuletën time të firmës “Grande” të kuqe apo ndonjë dokument të hedhur përreth spitalit të Pediatrisë kryesisht në repartin e Neurologjisë në Prishtinë ju lutem kontaktoni policinë.

Me rrespekt: A. Gashi

Ju lutem shpërndajeni!

SHPËRNDAJE