Serwer trondit opinionin: Tregon frikën që ka për një marrëveshje Thaçi – Vuciq në shtator të këtij viti

Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka thënë se ka frikë presidenti kosovar dhe ai serb do të arrijnë një marrëveshje deri në shtator që do të përfshinte shkëmbimin e territoreve.

Ai në një intervistë për mediumin KoSSev tha se një marrëveshje e tillë nuk do të kishte mbështetjen e publikut dhe do të destabilizonte Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë.

Profesori amerikan thotë se ai është kundër shkëmbimit të territoreve për shkak të parimit dhe besimit që shoqëritë demokratike mund të sillen siç duhet ndaj minoriteteve, për të cilat thotë se ai e priste nga Serbia e pasluftës në raport me shqiptarët.

Por, a mund të ketë nënshkrim të një letre mes Thaçit dhe Vuciqit në vend të marrëveshjes përfundimtare midis dy palëve?

“Unë mendoj se ka një mundësi të tillë. Administrata Trump është një eksperte në hartimin e marrëveshjeve në të cilat marrëveshjet reale nuk ndodhin. Ai reklamoi shumë gjëra që rezultuan se nuk ishin të vërteta. Unë mendoj se ka një mundësi të tillë, por me të vërtetë mendoj se do të ketë shumë presion për të nënshkruar marrëveshjen e vërtetë deri në shtator dhe unë mendoj se marrëveshja që ata përmbyllin do të përfshijë një lloj shkëmbimi territoresh dhe popujsh, që mendoj se është një gabim i tmerrshëm”.

“Unë nuk po them që marrëveshja do të përfshijë shkëmbimin e territoreve. Disa thonë se po diskutohet, se ka presion që e favorizon atë. Megjithëse nuk ndjek gjithçka që thotë zoti Grenell, por me sa mbaj mend, ai gjithashtu mohoi që ai e dinte për një marrëveshje të tillë dhe mohoi që ai mori pjesë në bisedimet për të. Megjithatë, të tjerët në Departamentin e Shtetit, veçanërisht Palmer, për shembull, nuk e mohuan këtë. Mohimet diplomatike janë mohime diplomatike. Ka shumë tym në këtë rast që të mos ketë të paktën pak zjarr. Unë nuk mendoj se do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje”, njofton Klan Kosova.

Ai tha se megjithatë do të jetë shumë e vështirë që Thaçi të pranojë ofertën e Serbisë sepse në ofertë nuk do të përfshihet Lugina e Preshevës dhe gjithashtu do të jetë e vështirë që Serbia të pranojë një ofertë nga Kosova në të cilën nuk do të përfshihet Mitrovica e Veriut.

“Pavarësisht nëse do të kemi një marrëveshje ose jo, unë nuk mendoj që amerikanët që janë të përfshirë në proces kujdesen për detajet. Gjithçka që duan është një ceremoni në “Kopshtin e Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë”.

SHPËRNDAJE