Shaqiri në stol, Kane titullar – Formacionet zyrtare për finalen e madhe

Gjithçka është gati për finalen e Ligës së Kampionëve dhe tani të dy trajnerët – Jurgen Kloppi i Liverpoolit dhe Mauricio Pochettino i Tottenhamit – e kanë publikuar listën me 11 të besuarit e tyre për ta nisur këtë ndeshje të madhe.

Sonte në orën 21:00, në stadiumin “Wanda Metropolitano”, do të zhvillohet finalja e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, ku do të përballen dy klubet angleze, Liverpooli dhe Tottenhami, shkruan Gazeta Express.

Liverpooli është finalist në këtë garë prestigjioze evropiane për të dytin sezon radhazi, mirëpo këtë vit synon të shkojë një hap më tutje dhe ta fitojë trofeun, pasi që sezonin e kaluar u mposht nga Real Madridi me rezultat 3:1.

Në anën tjetër, Tottenhami ka shkruar historinë edhe vetëm duke marrë pjesë në finalen e Ligës së Kampionëve, pasi që klubi londinez nuk e kishte arritur këtë sukses asnjëherë më parë. Megjithatë, Mauricio Pochettino dhe lojtarët e tij do të tentojnë që ta fitojnë trofeun qysh në tentimin e parë.

Xherdan Shaqiri kishte qenë titullar në ndeshjen që ia siguroi Liverpoolit një vend në finale – ndeshjen kthyese të gjysmëfinales kundër Barcelonës. Megjithatë, tani që janë rikuperuar lojtarët që ishin të lënduar për atë ndeshje, Kloppi ka vendosur ta lë Shaqirin në stol.

Pas disa ndryshimeve në rregullat e UEFA-s, edhe Kloppit e edhe Pochettinos i është dhënë mundësia t’i emërojnë nga 12 lojtarë në stol për këtë finale.

Formacionet zyrtare të të dy skuadrave:

Liverpool: Alisson; Alexander-Arnold, Matip, Van Dijk, Robertson; Henderson, Fabinho, Wijnaldum; Salah, Firmino, Mane

Tottenham: Lloris, Trippier, Alderweireld, Vertonghen, Rose; Winks, Sissoko; Eriksen, Alli, Son; Kane

SHPËRNDAJE