Shëmtimi i lirisë

Njëzet vjet pas luftës, Kosova nuk është ajo e ëndërruara nga qytetarët. Liria u shëmtua në masë të madhe nga njerëz që rrahin gjoks se e sollën atë. Shumë të këqija janë bërë në emër të luftës. Kosovarët që para njëzet vjetësh ikën nga vendi i tyre për të shpëtuar kokën, po ikin sërish – tash për ta jetuar me dinjitet dhe si njerëz normalë pjesën tjetër të jetës

Imer Mushkolaj

Qindra vetë që u mblodhën në sheshet e Prishtinës, të mërkurën e 12 qershorit, nuk ishin aty për t’i dëgjuar çfarë kishin për të thënë udhëheqësit shtetërorë të Kosovës në 20 vjetorin e çlirimit. Ata u mblodhën aty, nëpër vapë të madhe, për të dëgjuar çfarë kishin për të thënë miqtë e Kosovës, Bill Clinton e Madeleine Albright dhe për t’i falënderuar për gjithë çfarë bënë për vendin e tyre, në një kohë të vështirë.

Asnjëri nga qytetarët e pranishëm dhe të tjerët që e përcollën ceremoninë në televizor nuk e kishin menduar se njëzet vjet pas çlirimit vendi i tyre do të katandisej kështu si është. Nuk e kishin menduar se vendi do të udhëhiqet vazhdimisht nga politikanë të papërgjegjshëm, të tillë që pushtetin e shohin si privilegj, e jo përgjegjësi. Nuk e kishin menduar se njëzet vjet pas luftës, kur ikën jashtë Kosovës për të shpëtuar kokën, do të ikin sërish jashtë vendit, për ta jetuar si njerëz pjesën e jetës që u ka mbetur. Larg papërgjegjshmërisë së klasës politike, larg pandëshkueshmërisë së krimeve e të zezave të tjera nga institucionet përkatëse, larg arrogancës qeverisëse që në qendër nuk i ka qytetarët, por familjarët e militantët partiakë.

Kur njëzet vjet më parë Bill Clinton kishte deklaruar se SHBA me aleatët e kishin fituar luftën, porse kosovarëve iu mbetet ta fitojnë paqen, mbase shumica mund të kishin menduar se kjo gjë është fare e lehtë. Por, nuk doli të jetë kështu.

Liria e fituar nuk mjaftoi që plot njerëz që e bënë luftën të mbeten me lavdin e saj kohe, por u lëshuan në veprime aspak dinjitoze, duke përfituar çka mundën e çka deshën, duke u shndërruar në njerëz të fortë që vrajnë e kthjellin, duke kapur më pas institucione e duke e shndërruar shtetin në pronë private. Liria u shëmtua në masë të madhe nga njerëzit që rrahin gjoks se e sollën atë.

* * *

Njerëzit e luftës, që tash merren me politikë, zakonisht porositin se individët që kanë bërë veprime të këqija nuk duhet identifikuar me gjithë luftën çlirimtare dhe se përgjegjësia është individuale, e jo kolektive. Natyrisht, secili mund të pajtohet me këtë konstatim. Por, si mundet dikush ta bëjë një ndarje të tillë kur shumë nga këta njerëz, që e kanë shëmtuar lirinë pas luftës, e kanë bërë këtë pikërisht në emër të luftës, në emër të UÇK’së?

Në emër të luftës janë plaçkitur miliona të qytetarëve, në emër të luftës janë pasuruar e kanë përfituar, në emër të luftës janë bërë veprime kriminale, në emër të luftës është privilegjuar një pjesë e qytetarëve dhe është diskriminuar pjesa tjetër.

Unë nuk mund ta kuptoj se si një ish-luftëtar, i cili ka qenë i gatshëm ta jep edhe jetën, pas luftës, në liri, mund të bëjë veprime të tilla që njollosin luftën e UÇK’në, të jetë model i plaçkitjes e gllabërimit, model i arrogancës e papërgjegjshmërisë. Unë nuk mund ta kuptoj se si njerëz të tillë, mbështetur në kredencialet e luftës, kanë qenë dhe janë në gjendje të bëjnë biznes me luftën dhe uniformën e luftës, biznes me emrin e namin e fituar në luftë, biznes me lirinë e paqen.

Natyrisht, nuk bëhet fjalë për të gjithë. Përkundrazi, shumë nga ata që kanë qenë pjesë e luftës, por që kanë luftuar me nder, jetojnë me nder. Ata nuk janë bërë pjesë e skemave plaçkitëse e kriminale si shokët e tyre. Ata mund të vuajnë edhe për bukën e gojës, por nuk kanë pranuar të njollosin luftën. As UÇK’në.

* * *

Kur plot njerëz i dëgjon teksa flasin për bëmat gjatë luftës, vetëm duhet pyetur se si ia dolën ata të krijojnë gjithë atë pasuri pas luftës, si ia dolën ta fitojnë gjithë atë fuqi financiare e politike pas luftës. Milionat e paurinë marramendëse që vetë i deklarojnë çdo vit nuk i kanë krijuar me pagat mujore. Madje, shumë nga ta nuk kanë bërë asnjëherë kurrfarë pune. Gjithçka e kanë arritur në emër të luftës, e duke kërkuar që të mos njolloset lufta. Gjithçka e kanë arritur duke e shëmtuar lirinë, si vlerën më të madhe të njeriut. Dhe pasi kanë përfituar e shkatërruar gjithçka, iu bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e braktisin vendin. E njerëzit e rëndomtë po kërkojnë veç pak dinjitet, që ua kanë shkërdhyer të tillët që bëjnë jetë dinjitoze e nuk e dinë çka është skamja e mjerimi.

SHPËRNDAJE