Shkarkimi i konsujve: Publicisti i njohur përkrahë Konjufcën për përjashtimin e ‘rrugaqëve, të pashkolluarve e shoferëve’

Publicisti Halil Matoshi, e ka përkrahur vendimin e Ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, për të larguar nga puna konsujt të cilët ai i quajti ‘rrugaqë, të pashkollë e shoferë’.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai kërkoi transparencë në emërimin e konsujve të rinj.

“Nuk ka shumë rëndësi se kush janë ata që u shkarkuan, nuk kam asnjë dyshim në domosdoshmëninë e kētij akti, por jetike për ta rritë besueshmërinë dhe transparencën do të jenë emrat që do të pasojnë në vend të tyre”, ka shkruar ai.

Shkrimi i plotë:

Më 3 shkurt në një shkrim të botuar te Gazeta Exspress, e kam paralajmëru këtë hap që sot e ndërmori Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.

Shkarkimi i konsujve që kanë marrë detyra përmes lidhjeve nepotiste e partiake do të ketë kuptim vetëm nëse Ministri ia rikthen kredibilitetin konkursit publik që nxjerr në pah vlera dhe meritokraci.

Kam shkru se Qeveria Kurti nëse arrinë t’ia kthejë dinjitetin e Republikës, duke mos e lënë diplomacinë e saj në duer militantësh partiakë, rrugaqësh t’pa shkollë e shoferësh, unë si rival politik, do ta duartrokas fort! Nëse arrinë me ua mbyllë derën analfabetëve funksional, për t’i mbajtur jashtë sistemit, duke i dhënë kredibilitet konkursit publik, bravo i qoftë!

Nuk ka shumë rëndësi se kush janë ata që u shkarkuan, nuk kam asnjë dyshim në domosdoshmëninë e kētij akti, por jetike për ta rritë besueshmërinë dhe transparencën do të jenë emrat që do të pasojnë në vend të tyre.

Vetëm atëherë do të shihet qartë motivi i vërtetë i shkarkimit të atyre konsujve të Republikës së Kosovës nepër botë.

SHPËRNDAJE