“Shko çoje në privat, aty ku u kanë”, kosovari tregon se si nuk ia pranuan familjarin në gjendje të rëndë në QKUK

Bashkim Gashi iu është adresuar Gazetës Express lidhur me një nga problemet me të cilat është ballafaquar, pasi ka dërguar familjarin e tij me inicialet S.O, që të shtrihet në Klinikën e Ortopedisë në QKUK.

Qytetari Gashi e akuzon Dr. Nexhmi Duriqin, ortoped në Klinikën e Ortopedisë, për të cilin thotë se ishte shef i ndërrimit, se nuk ia ka pranuar familjarin që të shtrihet në klinikën përkatëse, pavarësisht rekomandimit të mjekut të përgjithshëm. Gashi e konsideron të çuditshme arsyetimin e Dr. Duriqit për refuzim të shtrimit në klinikën ku ushtron profesionin ai.

“Më tha shko çoje në privat, aty ku u kanë. Ma tha me njifarë inati që s’mujsha me e kuptu”, deklaroi ai.

Gashi paraprakisht ka njoftuar se, përpara vizitës në QKUK, familjarin e kishte dërguar në spital privat për vizitë.

Tutje, qytetari ka përcjellë për redaksinë edhe fotografi të vlerave të infeksionit të familjarit, për të cilën thotë se pulmologu Dr. Besim Morina, e ka vlerësuar si tejet të lartë dhe ka shkruar rekomandim për shtrirje në spital.

Qytetari konsideron se vlera e proteinës C reaktive është tejët e lartë (341.8 H). Koncentrimi normal i CRP-së konsiderohet deri në 10mg/l.

Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë Klinikën e Pulmologjisë, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje.