Shkruan Imer Mushkolaj: Shuplaka e Shaipit

Deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, ua përplasi fytyrës Aleksandës Vuçiqit e Ivica Daçiqit përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë. Ua tha haptazi ato që është dashur t’ua thonë tash dy dekada udhëheqësit kosovarë. Përveç për Beogradin, fjalimi i tij në Kuvedin e Serbisë ishte shuplakë e fortë edhe për politikën e Prishtinës.

Rrallë mund të ketë tingëlluar më fort e më bindshëm në Kuvendin e Serbisë ndonjë fjalim deputeti, sesa ai i Shaip Kamberit. Në seancën zgjedhëse të qeverisë së re, të udhëhequr sërish nga Ana Brnabiq, politikani nga Bujanoci nuk denjoi t’ia numërojë regjimit të Aleksandër Vuçiqit të gjitha të zezat, një nga një dhe t’ia kujtoi përgjegjësinë që ka për krimet e luftës.

Kamberi është në krye të një grupi të vogël prej gjashtë deputetësh – tre shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe tre boshnjakë nga Sanxhaku – që në fakt është edhe opozita e vetme në parlamentin serb prej 250 vendesh. Kjo flet shumë për situatën në të cilën gjendet Serbia totalitare e Vuçiqit, por që nuk shihet kështu nga vendet e rëndësishme të Perëndimit. Nuk shihet e tillë pavarësisht se regjimi serb ende refuzon të pranojë krimet e kryera në Kosovë dhe vazhdon ta bllokojë Kosovën në çdo hap. Një fotografi false e një shteti të udhëhequr nga një kastë politike në thelb fashiste. Me ton cinik, këtë situatë e adresoi edhe Kamberi.

“Mirë se vini në parajsën e stabilitetit dhe progresit. Serbia më demokratike se Suedia dhe Gjermania me rrezikun neonazist, apo Spanja me separatistët e saj. Nuk ka më shpërndarje të fotove nga malet përreth Sarajevës nën bombardime. Nuk ka më fjalime të llojit se do t’i vrasim 100 myslimanë për çdo serb të vrarë. Nga ministra të informatave dhe zëdhënës të Milosheviqit tashmë në zyret e Washingtonit dhe Brukselit për marrëveshje politike me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kamberi.

Ai iu bëri thirrje pushtetmbajtësve në Beograd, “të vetëshpallur patriotë” që të shohin se në

ç’mjerim e kanë sjellë Serbinë e Dimitrije Tucoviqit, Danillo Kishit, Bogdan Bogdanoviqit, Ivan Gjuriqit dhe Borka Paviçeviqit.

* * *

Është dashur të kalojnë njëzet vjet, që në parlamentin serb të flasë kaq fort e kaq zëshëm një shqiptar, që para lidershipit serb të shpalos të vërteta të hidhura, të cilat i dinë të gjithë, por askush nuk merr përgjegjësi për to.

“Çfarë të pritet nga një qeveri që nuk është në gjendje t’i identifikojë as lëvizjet dhe figurat e saj antifashiste? Nga një Serbi që njëson çetnikët dhe partizanët. Nga një Serbi që nuk i di kufijtë e sovranitetit dhe integritetit territorial, si të pritet të heq dorë nga politikat hegjemoniste? Nga një Serbi që nuk e vlerëson as postmortum Zoran Gjingjiqin, si të pritet t’i vlerësoj minoritetet?

Nga një Serbi që nuk e zbardhë vullnetshëm vrasjen e Sllavko Çuruvijes, si të pritet të zbardhë vrasjen e vëllezërve Bytyqi? Nga një Serbi që e konsideron veten viktimë historike, si të pritet kërkimfalja ndaj popujve të tjerë? Nga një Serbi ku lartësohet Ratko Mladiqi, si të pritet njohja zyrtare e gjenocidit të Srebrenicës? Nga një Serbi ku shteti mbron Ljubisha Dikoviqin dhe Bozhidar Deliqin, si të pritet njohja e krimeve të luftës ndaj civilëve në Reçak, Mejë, Korenicë, Qyshk etj?”, pyeti Kamberi.

Këto pyetje është dashur t’i bëjnë tash dy dekada udhëheqësit e Kosovës. Është dashur t’i bëjnë shumë më zëshëm atëherë kur pranuan të nisin dialogun me Beogradin, ndërkohë që trupa shqiptarësh vazhdojnë të kallen varrezave masive gjithandej Serbisë.

Kamberi i bëri ftesë kryeministres Ana Brnabiq që, së bashku, të bëjnë një vizitë në Batajnicë, Peruçë, Petrovo Selo e Rudnicë. “Dëgjoni me veshët e juaj mbiemrat Berisha, Duriqi, Bogujevci, Jashari etj. Përfytyroni fëmijët, gratë dhe pleqtë që mjaftoi të kishin emra, gjuhë e kulturë të ndryshme, për t’u vrarë mizorisht dhe për t’iu hedhur fshehurazi kufomat e tyre nëpër varreza masive 400 km larg nga krimi, nga ana e strukturave të shtetit që kishin për detyrë t’ua siguronte sigurinë dhe mirëqenien. Këto krime kundër njerëzimit janë urdhëruar, organizuar dhe kryer nga strukturat shtetërore, nga zyrtarë të Republikës së Serbisë, kryeministre e së cilës po rizgjedheni sot”, i tha ai Brnabiqit, duke ia kujtuar se e ka rastin që ta dëshmojë së paku ajo ndërgjegjen kolektive të Serbisë. “T’i mundësoni së paku nënave të mos vdesin pa i varrosur fëmijët e tyre me dinjitet. Që fëmijët ta dijnë se si u vranë etërit, xhaxhallarët, gjyshërit dhe të afërmit e tyre. Që gratë e përdhunuara të mos ndjejnë turp sepse ka ende të tillë që mendojnë se ishte faji i tyre për atë që ju ka ndodhur”.

* * *

Nga fjalimi i Shaip Kamberit, udhëheqësit politikë në Kosovës do të duhej të ndiheshin të turpëruar. Të paktën për faktin se kanë pranuar të dialogojnë me një regjim, që ende nuk ka kërkuar falje a as vendosur drejtësi për mijëra viktima.

Kamberi ua dha një shuplakë të fortë, që i bën me turp. Nëse dinë çfarë është turpi.