Shkruan Imer Mushkolaj: Ta dëgjosh Beogradin

T’iu nënshtrohesh kërkesave dhe kushtëzimeve të Serbisë don të thotë të dyshosh në ekzistencën e shtetit tënd. Beogradi nuk duhet lejuar të vendos për punët tona, siç ka ndodhur shumë herë deri tash. Siç ndodhi së fundi me rastin e punimeve të rrugës Deçan-Plavë.

Imer Mushkolaj

Nuk mbaj mend që asnjëherë të vetme, gjatë dekadës së fundit, Kosova të ketë kushtëzuar Serbinë çkadoqoftë në dialog. Por, njësoj nuk ka vepruar Serbia e cila vazhdimisht ka pasur kushte për të qenë pjesë e procesit.

Beogradi kushtëzoi për më shumë se një vit vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës, kusht që Prishtina ia plotësoi. Madje, në shenjë “vullneti të mirë”, qeveria e Avdullah Hotit hoqi edhe reciprocitetin. Veç kësaj, qeveria aktuale hoqi dorë edhe nga një pjesë e sovranitetit, duke ndalur aplikimin për pranim në organizatat ndërkombëtare – sërish për të vazhduar dialogun. Por, Beogradi nuk hoqi dorë nga fushata për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Së fundi, pas ankesës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, kryeministri Avdullah Hoti urdhëroi ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë. Sërish, besoj, në shenjë vullneti të mirë para takimit të Washingtonit, të paralajmëruar për 2 shtator.

Me gjithë këto kushtëzime e shantazhe, fituese vazhdon të jetë Serbia, e cila e paraqet veten dhe serbët në Kosovë si “viktima” të shqiptarëve, ndërkohë që vazhdon me të gjitha forcat të pengojë shtetin e ri, qeverisjen e të cilit e mban peng edhe nëpërmjet Listës Serbe.

Se çfarë ka përfituar Beogradi nëpërmjet kësaj strategjie mjafton të shihen rezultatet e arritura në dialog gjatë dekadës së fundit. Të krahasohen përfitimet e Serbisë me ato të Kosovës. Është lehtë të konkludohet se Kosova më tepër ka qenë pjesë e procesit për t’i rregulluar punë Serbisë në përfitimet në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe jo vetëm, sesa që vërtet ka pasur përftime për vete. I njëjti avaz vazhdon.

* * *

Nuk mund të urdhërosh ndërprerjen e punimeve në një rrugë brenda Kosovës, vetëm pse presidenti i një shteti tjetër, në këtë rast i Serbisë, mund të mos jetë i kënaqur. Por kështu veproi kryeministri Hoti për punimet e rrugës Deçan-Plavë.

Punimet në pesë kilometrat e parë të rrugës kishin nisur gati para dy javësh. Kryetari i komunës pohoi se gjithçka ishte bërë me pajtimin e manastirit. Është shumë interesante se si zyrtarët e manastirit nuk reaguan në fillim të nisjes së punimeve, por vetëm te premten e kaluar, pasi që u bë e ditur data e takimit në Washington.

Pra, edhe kësaj here Beogradi instrumentalizoi serbët në Kosovë për interesa të veta dhe, për fat të keq, Kosova u vu në shërbim të arritjes së këtij qëllimi.

Rruga, ndërtimin e së cilës Hoti e ndali pas reagimit të Vuçiqit, është jetike për banorët e komunës së Deçanit dhe më gjerë. Ajo nuk e rrezikon manastirin, përkundrazi, ia shton vlerën një monumenti të rëndësishëm fetar.

Po të dëgjohej Beogradi, Kosova as do të ishte shpallur shtet. Po të dëgjohej Beogradi, nuk do të ishin kryer shumë punë në vend. Beogradi e ka qëllimin e qartë: të pengojë gjithçka që ka të bëjë me Kosovën e pavarur, të pengojë nga brenda funksionimin e shtetit të ri dhe të provokojë situata që do t’i nxjerrin fajtorë shqiptarët.

Lidershpi kosovar duhet të jetë aktiv në demaskimin e qëllimeve të Serbisë, e jo të bëhet pjesë e lojës së saj. Argumentet i ka në anën e vet – vetëm duhet t’i thotë haptas dhe pa frikë.

* * *

Qasja e lidershipit kosovar karshi Beogradit është indiferente, nënshtruese. Është qasje e dëmshme. Gjithë marrëveshjet me Serbinë u arritën pas vitit 2010, domethënë pasi GJND i dha të drejtë Kosovës që kishte shpallur pavarësinë. Por ky vendim i rëndësishëm nuk u kapitalizua. Përkundrazi.

Me vetëdije të plotë, Kosova nisi dialogun pa u mbështetur në parimin e reciprocitetit, duke krijuar që në start situatë epërsie për Serbinë. Me vetëdije të plotë udhëheqësit e Kosovës nënshkruan marrëveshje të dëmshme, që vendit po i kushtojnë e do t’i kushtojnë shumë. Me vetëdije të plotë po hiqet dorë nga sovraniteti i vendit. Gjithçka si “shenjë e vullnetit të mirë” karshi një shteti që nuk ka shfaqur as vullnetin më të vogël për të konsideruar si partner. Karshi një shteti që rrezikon ekzistencën tënde, ndërkohë që t’i bëhesh pjesë e lojës së tij të rrezikshme. Lojës që mund të përfundojë me defunksionalizim edhe më madh nga brenda, lojës që tashmë e dinë të gjithë, madje edhe partnerët ndërkombëtarë, por nuk reagojnë. Nuk reagojnë, sepse nuk e kërkojmë seriozisht nga ta këtë gjë. T’iu nënshtrohesh kërkesave dhe kushtëzimeve të Serbisë don të thotë të dyshosh në ekzistencën e shtetit tënd. Beogradi nuk duhet lejuar të vendos për punët tona, siç ka ndodhur shumë herë deri tash. Siç ndodhi së fundi me rastin e punimeve të rrugës Deçan-Plavë.

SHPËRNDAJE