Shoferë kujdes: Në rrugët e Kosovës do të vendosën radarë me kamera

Nëpër rrugët magjistrale të Kosovës pritet qeë të vendosen radarë me kamera. Krejt kjo, për t’i evituar aksidentet.

Për të parandaluar aksidentet rrugore, Ministria e Infrastrukturës do të vendosë, në muajin maj, radarë me kamera në çdo rrugë nacionale të Republikës së Kosovës. Ekspertët e komunikacionit rrugor thonë se fundi i shkurtit do të sjellë akullin e zi, ku mund të sjellë edhe fatalitete të tjera. Policia bën apel për drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, ku për shkak të kohës se ftohtë ka ngrica në rrugë.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, vlerëson se institucionet e vendit nuk janë fare të përgatitura sa i përket masave mbrojtëse nga aksidentet rrugore. Ai thotë se drejtuesit e automjeteve në Kosovë kanë mungesë të informacioneve dhe gjatë ngasjes së veturës nuk e kanë të ditur se çka do t’u ndodhë në momente të caktuara.

Dedaj paralajmëroi akullin e zi në fund të shkurtit, i cili, sipas tij, mund të shkaktojë edhe aksidente të tjera me fatalitet.

“Nga fundi i muajit të dytë pritet të ndodhë akulli i zi, që drejtuesit dhe popullata nuk janë të informuar se ky faktor mund të sjellë aksidente me pasoja fatale. Në disa vende të Kosovës, ku janë temperaturat e ulëta, bëhet avull dhe ka mjegulla të dendura, në ato raste paraqitet akulli i zi. Do t’i përmendi vetëm dy pika, rruga e Sllatinës dhe rruga e Mazgitit ku shkon për Obiliq, këtu është pasiguri dhe rrezikshmëria për fatalitet është e madhe. Kjo është mungesë e institucioneve tona, të cilat nuk kanë bërë kurrë analiza”, tha ai për Radio Kosovën.

Ai shtoi se duhet bërë aplikacione ku drejtuesit e automjeteve mund të marrin informacione në mënyrë elektronike për pika të caktuara të rrugës që nuk janë të identifikuara.

Për të parandaluar aksidentet me fatalitet, Ministria e Infrastrukturës këtë vit ka bërë një marrëveshje me qeverinë hungareze për implementimin e sistemit inteligjent të menaxhimit të komunikacionit rrugor. Zyrtari për informim i kësaj ministrie, Rexhep Kadriu, i ka thënë Radio Kosovës se nga muaji maj, në çdo rrugë nacionale të Republikës së Kosovës do të vendosen radarë me kamera.

“Në muajin prill apo maj do të vendosim radarë me kamera nëpër rrugët nacionale të Republikës së Kosovës. Mirëpo, gjatë 2018 kemi bërë përpjekje të mëdha që rrugët tona të kenë një sinjalistikë rrugore të mirë. Ne tash e kemi dyfishuar buxhetin, që shkon në 4 milionë, për investime në sinjalisitikë rrugore”, ka thënë ai.

Kadriu shtoi se Ministria e Infrastrukturës, në bazë të kontratave që ka pasur me operatorët ekonomikë, ka vendosur edhe vija anësore të bardha pas shumë viteve, por, siç thotë ai, nuk janë përfunduar të gjitha e që pritet të përfundohen në përmirësimin e kohës në pranverë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë apel te drejtuesit e automjeteve të kenë kujdes në rrugë, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, ku mund të ketë ngrica për shkak të kushteve atmosferike. Ai tregoi se me rastin e shënimit të vitit të ri ka pasur dy aksidente me pasoja fatale.

SHPËRNDAJE