Shokon Haradinaj, përmend këngëtaren e njohur serbe në mbledhje të qeverisë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në mbledhjen e Qeverisë foli për gjendjen energjetike të krijuar në vend, u bëri thirrje drejtorëve të KEK-ut të punojnë, e të mos rrinë te objekti që ai e ka quajtur në emër të këngëtares serbe Llepa Brena.

“Unë i kam kërkuar KEK-ut të kemi kujdestari, ta shpallin gjendje emergjente. Të jetë çdo herë një nga drejtorët, jo të vijnë me nejt në objektin e Lepa Brenës, si i thonë këtij objekti të bukur. Po të shkojnë atje ku po ndodh mihja, e mos t’i japin përparësi ose të mos mendojnë që importi i energjisë është zgjidhja më e lehtë”, tha kryeministri Haradinaj

Ndryshe Haradinaj sot në mbledhjen e Qeverisë ka lëshuar akuza të rënda ndaj Qeverisë së kaluar por edhe menaxhmentit të KEK-ut për krizën energjetike.

Ai tha se e kanë marr në dorë “bombën e kurdisur”.

Haradinaj tha se gjendja energjetike në vend është në krizë dhe se në kohen kur e kanë marrë Qeverinë, gjendja në KEK ka qenë një bombë e kurdisur.

Ndërsa tha se që nga dita e parë e Qeverisë, iu ka qasur kësaj teme me seriozitetin më të madh,  duke ditur gjendjen.

“Për dy vjet janë harxhuar rezervat e qymyrit. Nuk janë marre veprime që është dashur të ndërmerren, me mujt me mih, pra shpronësimet dhe është sjell vendi në krizë. Kur e kemi marrë Qeverinë e kemi marre bombën e kurdisur  të gjendjes në energji. Kuptone këtë saktë,  bombë e kurdisur e gjendjes në energji. Çka nënkupton kjo. Rezervat e qymyrit që është obligim me pas për dy vjet, KEK duhet të ketë rezerva për dy vjet, janë harxhuar për dy vjet të gjitha dhe njëkohësisht nuk është ndërmarrë veprimi i nevojshëm që me mujt jo me kriju më rezerva por me mih. Kjo ka ndodh prej Qeverisë që shkoi, prej Qeverisë Mustafa. Prej atyre që sot e kanë gojën plot me ato që thonë”, tha Haradinaj.

Ai tha se në ngritjen e çmimit ndikojnë rrethanat e krijuara, e jo ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re. Haradinaj pohoi se nuk  është në rregull që KEK të importojë gjysmën e energjisë së nevojshme.  Ndërsa tha se  nuk do t’i japin KEK-ut asnjë cent për import.

“Qeveria e vendit nuk do t’ia  jap asnjë cent KEK-ut për importin. Ata janë kompani ata duhet të menaxhojnë këtë kohë të krizës. Të gjejnë mënyra të financimit të importit… Ata që po protestojnë sot, vërtetë i përshëndes protestuesit dhe qytetarët që po dalin në rrugë. Por mendoj që kanë qenë të fjetur për dy vite,  kur janë shkaktuar dëme vendit. Dhe ky është reagim tepër i vonuar. Nuk kanë nevojë me protestu sot në kohë të kësaj Qeverie, e cila e fillon ditën me KEK dhe me gjendjen në energji dhe e mbyll ditën me KEK-un”, tha ai.

Ndërsa tha se askush nuk do të mbes pa pasoja, për gjendjen energjetike të krijuar në KEK, e të parët që do t’i vuajnë këto pasoja janë vet menagjmenti i KEK-ut.

“Me gjasë ata që importojnë fitojnë shumë. Pra ata ndërmjetësat a kush janë ata. Në këso gjendje krize duhet të jetë krizë për të gjithë iu kam thanë atë ditë kërkush s’ka me mbet pa pasoja. Prej meje, te menaxhmenti dhe dej tek sekserat e importit të energjisë. Pse se është gjendje krize nuk guxojmë me shku pa kufi kështu. ..Iu bëjë  thirrje dhe prej këtij takimi menaxhmentit të KEK-ut,  ta kenë parasysh që pasojat do t’i vuajnë gjithë, por ma merr mendja që të parat do t’i vuajnë vet ata menaxhmenti”, tha ai

Ministri i Zhvillimit ekonomik Valdrin Lluka, i cili njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me gjendjen energjetike në vend tha se Kosova vazhdoi  ta importojë gjysmën e kapacitetit të kërkuar të energjisë.

“Ne kemi krijuar një ekip teknik emergjent të energjisë, i cili kërkohet dhe me ligj, në raste kur nuk kemi furnizim stabil….Situata është dhe për shkak të vendimit të Gjykatës,  për ndërprerjen e tarifimit të pjesës veriore dhe për shkak të mos mundësisë së nxjerrjes së qymyrit në fshatin Shipitullë, për shkak të pengesave të shpronësimit. Ne kemi arritur në një pozitë kur jemi duke e importuar gjysmën e kapacitetit të kërkuar. Gjysma prodhohet dhe gjysma importohet. Kjo normalisht kur varemi në importe është e pamundur të parashikohet edhe ndikimi në tarifa, sepse çmimi i importit nuk varet nga ne ”, tha ai.

SHPËRNDAJE