Shpërblehet Milot Rashica pas golit të bukur kundër Freiburg

Kampanja 2019/20 në Bundesliga ka dhuruar ‘show’ në javën e dhjetë, ku janë shënuar në total 35 gola në vetëm nëntë ndeshje.

Në 35 golat e sipërpërmendur janë të përfshirë edhe tetë golat e Leipzig ndaj Mainz, si dhe pesë golat e Eintracht Frankfurtit ndaj Bayern Munich.

Kur ka kaluar kjo fundjavë e ‘nxehtë’ në kampionatin elitar gjerman, mediumi i madh ‘FOX Sports Asia’ ka zgjedhur top-pesë golat më të mirë të javës së dhjetë në Bundesliga.

Në mesin e tyre është përfshirë edhe goli i futbollistit nga Kosova Milot Rashica, i cili shënoi një gol të bukur për Werder Bremenin në barazimin 2:2 ndaj Freiburgut.

Rashica e humbi fillimin e këtij edicioni, por tani është kthyer në formë optimale.

Me katër gola të shënuar deri më tani, 23-vjeçari është duke u treguar vendimtar për skuadrën nga Bremeni.

Tutje, golat tjerë që janë të përfshirë janë të Goncalo Paciencia (Frankfurt), Christopher Nkunku (RB Leipzig), Robert Lewandowski (Bayern Munich) dhe Robert Skov (Hoffenheim).

SHPËRNDAJE