Shqetësimi i madh: Si do t’i marrin pagat punëtorët e sektorit privat?

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka shprehur një shqetësim të sektorit privat: paga për punëtorët. Në një postim në Facebook ai ka thënë se po merr shumë shqetësime nga punëtorët e sektorit privat në lidhje me pagat e këtij muaji dhe të muajit tjetër.

“Po pranoj qindra mesazhe nga punetore dhe pronare biznesesh. Te gjithe e kane nje hall? Kush do t’i paguaj pagat e tyre kete muaj e ndoshta edhe muajt ne vijim? Pavaresisht zhvillimeve politike, te gjithe duhet te jene te mobilizuar ta shpetojme ekonomine dhe vendet e punes. Propozime te shumta kemi derguar dhe kemi degjuar. Tani eshte koha per veprim”, ka shkruar Rukiqi.

Sikur Rukiqi ka reaguar edhe Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë. Ajo ka thënë se një pako financiare do të shërbente për mbulimin e obligimeve operacionale të bizneseve, përfshirë pagesën e pagave, qirave dhe shpenzimeve operative, por edhe për shtimin e kapitalit dhe zhvillimin e produkteve financiare të reja të ofruara nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe për zhvillimin e masave të tjera për stimulimin e funksionimit të zinxhirëve të vlerës në sektorët e ndryshëm të ekonomisë.

“Sot paskan dalë pagat në sektorin publik! Ndërsa për sektorin privat nuk ka akoma asnjë veprim konkret për ta ofruar një pako financiare në mbështetje të kompanive që të mund të mbijetojnë! Bashkë me OEK, AmCham, Klubin e Prodhuesve dhe EIC kemi kërkuar mbështetje në vlerë prej 5% të bruto produktit vendor të Kosovës për fazën e emergjencës dhe rimëkëmbjes, në mbështetje të sektorit privat.

Kjo pako financiare do të shërbente për mbulimin e obligimeve operacionale të bizneseve, përfshirë pagesën e pagave, qirave dhe shpenzimeve operative, por edhe për shtimin e kapitalit dhe zhvillimin e produkteve financiare të reja të ofruara nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, si dhe për zhvillimin e masave të tjera për stimulimin e funksionimit të zinxhirëve të vlerës në sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Nuk e kemi asnjë ditë për ta humbur!”, ka thënë ajo, shkruan Reporteri.

Për masa financiar ka kërkuar të ndërmerren edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Në këtë situatë të re politike, PDK kërkon të mos krijohet vakum institucional dhe sa më shpejt, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ecet në drejtim të krijimit të institucioneve të reja, që do të kenë prioritet adresimin e nevojave të qytetarëve.

“Por, pavarësisht se qeveria ka rënë dje, ajo është në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re. Dhe për asnjë moment, askush nuk duhet t’ju ikë përgjegjësive dhe obligimeve institucionale. Ky vend dhe shoqëria jonë, çdo herë ka ditur të gjejë forcën dhe vullnetin për të ecur përpara, sidomos në kohë të sfidave të mëdha, sikur kjo që e kemi përballë, në betejën me armikun e përbashkët, virusin COVID-19”, thuhet në komunikatë.

“Në vazhdën e propozimeve konkrete që kemi bërë si PDK për qeverinë, është e domosdoshme që nga buxheti i shtetit menjëherë të lansohet Fondi i Posaçëm për Emergjencën, që do të mundësojë ndërmarrjen e masave të shpejta dhe të domosdoshme për sanimin e dëmeve ekonomike, përmes miratimit të një Pakoje Financiare për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat”.

“Ndër këto masa, qeveria në detyrë duhet që sa më parë të mundësoj pushimin e pagesave të kredive për të gjitha bizneset dhe qytetarët për një periudhë tre mujore; të mbulojë pagat e punëtorëve të sektorit privat që nuk kanë punuar gjatë kësaj kohe; të subvencionojë pagesën e qerave të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e krizës; të mundësojë kreditimin emergjent me interesa të ulëta dhe me grejs periudhë 2 vjecare për bizneset; të paguj shtesa meritore për të gjithë mjekët, infermierët, policët zjarrëfikësit, ushtarët, zyrtarët e tjerë dhe vullnetarët që janë në linjën e parë të betejës me virusin COVID-19”, vlerëson PDK.

SHPËRNDAJE