“Shteti dështoi përballë krimit”

Avokat në vend dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë reaguar sot pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili ka hetuar manipulimet me listën e veteranëve dhe rastin e imamit Shefqet Krasniqi. Avokati Kujtim Kërveshi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se pa i marrë parasysh të gjitha rrethanat, të thënat dhe të pa thënat, duhet të jetë i mjerë dhe dështak deri në fund ai sistem prokurorial ku prokuror si Elez Blakaj nuk mund të zënë vend.“Një shtet nuk ndërton prokurori si Elezi brenda ditës. Ndoshta ky vend edhe nuk meriton prokuror si Elezi, ndoshta edhe nuk meritojmë këtë pak shtet që kemi. Brezi i prokuroreve të rinj ka qenë satisfaksioni im më i madh profesional gjatë punës sime si anëtar i Këshillit Prokurorial dikur. Dikujt mund t’i duket çudi si një avokat tani lavdëron një prokuror. Nuk janë lavde, janë fjalë dëshpërimi për gjendjen ku kemi ra!”, shprehet Kërveshi.

“…Vaj halli për një shoqëri, për një profesion, dhe një prokurori ku profesionalist si Elez Blakaj nuk gjejnë vend. Rasti i tij do të duhet të kthehej në platforme se ku ka rrëshqitur sistemi jone prokurorial dhe ku po na ikën shteti çdo ditë e më shumë!!!”, shkruan ndër të tjera avokati Kërveshi.Ndërkaq, Albert Krasniqi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se prokurorët po japin dorëheqje dhe po i lënë edhe pagat e larta, vetëm për të shpëtuar kokën prej kriminelëve që po i kërcënojnë.“Qeveria thoshte se pagat nuk po i rriste për vete, por për gjyqtarët dhe prokurorët që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sot prokurorët po japin dorëheqje dhe po i lënë edhe pagat e larta, vetëm për të shpëtuar kokën prej kriminelëve që po i kërcënojnë. Sistemi i drejtësisë i pafuqishëm të mbrojë vetën lëre më qytetarët”, shkruan Krasniqi.

Ai thotë se Qeveria shpenzon para të buxhetit të shtetit me të vetmin qëllim – rritjen e klientelizmit.“Kjo nuk mund të quhet ndryshe përveçse kapitullim i shtetit përballë krimit”.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE