Shtrenjtohet buka e vezët në Kosovë

Brenda një viti në Kosovë çmimi i bukës, mishit, qumështit e produkteve tjera elementare është shtrenjtuar dukshëm. Produktet që i kanë blerë kosovarët në shtator të vitit të kaluar tani kushtojnë për 1.4 për qind më shtrenjtë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka konfirmuar me raportin e fundit për indeksin e çmimeve të produkteve se shkalla vjetore e inflacionit ishte 1.4 për qind, shkruan Gazeta inFokus.

Krejt kjo pasi buka e drithërat u shtrenjtuan për 2.1 për qind e mishi 3.1 për qind. Ndërkaq, qumështi, djathi dhe vezët 3.4 për qind.

Më së shumti gjatë kësaj periudhe, sipas ASK-së, u shtrenjtua përdorimi i pajisjeve për transportin personal me 10.6 për qind për shkak të ngritjes së çmimit të naftës dhe benzinës.

Por, në ndërkohë pati edhe rënie të çmimeve te pemët me 6.7 për qind; sheqer dhe ëmbëlsira 7.7 për qind; e energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera 7.0 për qind, shkruan Gazeta inFokus.

Megjithatë, sipas ASK-së, thuajse të njëjta produkte janë shtrenjtuar në muajin e fundit të këtij viti.

SHPËRNDAJE