Sindikata e sektorit privat: Punëtorët punojnë në temperatura 40 gradë e pa asnjë dokumentacion

Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës më 1 korrik ka bërë inspektimin e disa kompanive lidhur me gjendjen reale te punëtorëve në sektorin privat.

Sindikata thotë të kenë inspektuar disa kompani private dhe kushtet e punëtorëve, ndërsa kanë parë se si punëtorët punonin në temperatura 40 gradë celsius.

“Çka pamë atë ditë kur ishte ditë vikendi dhe temperaturat ishin 40 c, ishte më e tmerrshmja kur punëtorët në godinën 20 katërshe te Lakrishta në 40 gradë celsius punonin pa asnjë mbrojtje në punë, nuk kishin as mbrojtjen e tyre personale, veshja e tyre të qonte mendjen se ata janë në plazh e jo në ndërtesë 20 katërshe. Të gjithë këta punëtorë që ne kontaktuam ishin nga Shqipëria, pa asnjë kontratë pune. Aty u bindëm se ne nuk kemi shtet të mirëfilltë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Sektorit Privat.

Siç thuhet në komunikatë, në hapësirat ku duhet vendosur ashensorët nëpër objekte shumëkatëshe, ato ishin të hapura pa asnjë mbrojtje .

“Pyesim, a ekziston ndonjë mekanizëm që së paku duhet ruajtur shëndetin e atyre punëtorëve , edhe pse edhe ne si Sindikata kemi përgjegjësitë tona. Për mos inspektimin e këtyre vendpunishteve jemi të bindur se ekziston rrjet mafioz, pasi që vetëm në këtë ndërtesë takuam rreth 30 punëtorë pa asnjë dokument. Atë çka e pamë atë ditë, mos e pafsha as në vendet më të skajshme të Afrikës. Me këtë u bindëm se sistemi kriminalistik në këtë sektor është më i fortë se ai shtetëror, kuptohet me bekimin e këtij të dytit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo sindikatë, e nënshkruar nga kryetari Jusuf Azemi.

SHPËRNDAJE