Skandaloze – Kompania publike e Kosovës shpërblen me tender konzorciumin nga Beogradi! (Dokument)

Një konzorcium i kompanive nga Beogradi ka fituar së fundi tender në njërën nga kompanitë më të madhe publike të Kosovës.

Portali “Front Online” ka siguruar dokumente ku konzorciumi i kompanive “Vlera SHPK dhe EKO DEZ DOO Beograd” kanë fituar kontratë në vlerë prej rreth 10 mijë euro nga Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Ky konzorcium i kompanive ka fituar kontratën për dezinfektimin, dezinsektim dhe deratizimin e objekteve të KRU “Prishtina”.

Në garën për ta fituar këtë tender nga “Ujësjellësi” kishin qenë tri kompani, ku një kompani tjetër vendore kishte konkurruar me çmim prej 11.328 euro, ndërsa oferta më e shtrenjtë nga kompania vendore ka qenë 19.635 euro.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka deklaruar se kontrata me konzorciumin nga Beogradi ka filluar të implementohet  menjëherë pas nënshkrimit të saj.

“Me kontratë është shpërblyer Operatori Ekonomik VLERA SH.P.K me seli ne Shtime”, ka thënë Mjeku, duke pranuar se Eko Dez nga Beogradi ka qenë njëri nga anetarët e grupit të operatorëve.

“KRU Prishtina sh.a, ka nenshkruar kontratë me OE Vlera SHP”, ka potencuar ajo.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj në nëntor të vitit të kaluar ka marrë vendim që t’i vendos taksë 100 për qind mallrave nga Serbia. Madje taksës prej asaj kohe i nënshtrohen edhe markat e huaja që prodhohen në Serbi.

Zyrtarët qeveritarë disa herë kanë përsëritur se duhet favorizuar vetëm kompanitë vendore në tenderët publik, përderisa në Kosovë operojnë disa kompani vendore që janë të specializuara për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim.

Foto: Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe drejtori i “Ujësjellësit”, Ilir Abdullahu

Megjithatë, zëdhënësja Mjeku arsyetohet se Ligji i Prokurimit Publik nuk ia ndalon shpërblimin e kontratave tek operatorët ekonomik vendor edhe nëse ata kanë anëtar në grup, të cilët nuk janë vendor.

Në fillim të këtij viti mediet kishin raportuar për një skandal të madh, kur Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kishte paraparë një tender në vlerë prej 23.5 milionë euro që të blihen për institucionet e vendit “Plazma”, “Eurokrem”, “Smoki” të prodhuara në Serbi.

Ky tender ishte anuluar menjëherë nga ekzekutivi i vendit, duke u bazuar në vendimin për favorizim të kompanive vendore si dhe aplikim të taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja për shkak të fushatës së tyre negative ndaj shtetit të Kosovës.

SHPËRNDAJE