Sot në Berlin negociohet për detajet e linjës hekurudhore Kosovë-Serbi

Pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, ai tani është angazhuar që ta bëjë të njëjtën gjë edhe me trafikun hekurudhor.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i Presidentit amerikan Donald Trump, për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas ndërmjetësimit që bëri për arritjen e marrëveshjes për ta hapur linjën ajrore Prishtinë-Beograd, ai tani është angazhuar që ta bëjë të njëjtën gjë edhe me trafikun hekurudhor ndërmjet dy vendeve.

Të mërkurën në mbrëmje (22.01.2020) ambasadori Richard Grenell erdhi në Kosovë me ç’rast u takua me Presidentin Hashim Thaçi, dhe të nesërmen ai shkoi në selitë e të dyja partive fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit [Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës] për t’u takuar me krerët e këtyre dy subjekteve politike.

Pavarësisht asaj se VV dhe LDK nuk po mund ta arrijnë një marrëveshje për ta formuar Qeverinë e re, Grenell nuk deshi që vizita e tij në Kosovë të interpretohej si ndërhyrje në politikat e brendshme.

Ai tha se në Kosovë erdhi për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik dhe se i mbetet spektrit politik që ta formojë Qeverinë e re, shkruan Klan Kosova.

Por, bëri me dije se Kosova duhet ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i japë fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës.

Pas vizitës në Prishtinë, Richard Grenell udhëtoi drejt Beogradit për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ashtu siç kishte paralajmëruar të cilit po ashtu ia kërkoi që Serbia ta ndalojë fushatën kundër Pavarësisë së Kosovës.

Më pas Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd përmes një shkrimi në Twitter, njoftoi se ambasadori Grenell ka bërë të ditur se të gjitha palët janë pajtuar për vendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së në Beograd, detajet e kësaj marrëveshje priten të diskutohen sot (27.01.2020) në Berlin.

SHPËRNDAJE