Spahiu: Nëse fiton Amerika, marrëveshja me Serbinë nënshkruhet më 10 qershor 2019

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se populli në Kosovë zgjedhë gënjeshtrën para të vërtetës, duke iu referuar edhe politikanëve.

“Populli jonë nuk di të respektojë njerëzit e rregullit dhe rendit, më tepër i pëlqen dallaverxhinjtë. Populli jonë më shumë e pëlqen gënjeshtrën se sa të vërtetën”.

“Është popull që harron, te një popull që harron ata që gënjejnë kanë më tepër përparësi ndaj atyre që e flasin të vërtetën”.

“Kam bërë një postim (në Facebook) ku kam thënë se më e shkurtër se këmbët e gënjeshtrës është vetëm kujtesa e shqiptarëve, sepse shqiptarët harrojnë më shpejt se sa që i nevojitet gënjeshtrës të dalë në fushë”.

Spahiu në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar se cilat janë arsyet pse Kosova dhe Serbia po negociojnë në një tavolinë në Bruksel.

“Procesi i negocimit është delikat. Pse po shkojmë në Bruksel dhe po negociojmë me Serbinë? Na duhet njohja prej Serbisë, na duhet njohja prej pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe na duhet anëtarësimi në OKB – ky është interesi jonë”.

“Mirë është t’i kemi punët mirë me fqinjët, punët me tre fqinjtë i kemi rregulluar. Edhe nëse i rregullojmë punët me fqinjin më të madh dhe që kufizohemi më së shumti, është mirë, nëse mundemi, pse jo?”.

“Interes parësor është të anëtarësohemi në OKB”.

“Pse Serbia negocion me neve është se e ka “kokën e zënë” prej perëndimit. Perëndimi i thotë të merret vesh me Prishtinën përndryshe i ke punët keq me neve dhe ata po detyrohen. Ofendim më të madh për lidershipin e Serbisë se sa të ulet me politikanët e Kosovës nuk ka”.

“Ata po e përjetojnë këtë poshtërim dhe po mundohen që ta shtyjnë pazarin deri ku shkon në interes të tyre”.

Ai ka deklaruar se mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë një “pazar”.

“Problemi shtrohet se deri në çfarë mase politikanët tanë po e zhvillojnë mirë këtë pazar, sepse ne duhet të japim diçka për të marrë diçka. Na shohim ta japim atë që na dhimbset më pak për ta marrë atë që na duhet më shumë, e njëjta gjë vlen edhe për Serbinë”.

“Është mjeshtëri në vete, të cilën shumë pak e kemi diskutuar dhe mendoj se deri tani, politikanët tanë e kanë çuar këtë proces në mënyrë shumë të ngathtë, me përjashtim të Hashim Thaçit që i lëvizë fjalët dhe me të ka problem edhe Serbia, edhe ndërkombëtarët”.

Analisti politik Spahiu ka treguar edhe se çka do të zgjidhte mes autonomisë së veriut dhe shkëmbimit të territoreve me Serbinë, në rast se këto dy opsione janë reale dhe të vetme, në tavolinën e bisedimeve.

“Nëse flet për ‘Zajednicë’ me kompetencë të Planifikimit Hapësinor, ku kryetari i ‘Zajednicës’ e merr kompetencën që ta marrë autostradën dhe ta bëjë Park të Paqes, autonomia e këtij niveli atëherë është gjëja më e rrezikshme për Kosovën”.

“Ky është shkatërrim i Kosovës – është Republika Srpska në Kosovë. Nëse duhet të zgjedhim mes dy të këqijave, mes kësaj (Asociacion me kompetenca ekzekutive) dhe cungimit të Kosovës, varet çfarë cungimi”.

Spahiu ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të ndodhë ose jo, varësisht se kush do ta fitojë “përballjen” mes Amerikës dhe Rusisë.

“Çdo lëvizje politike në rajon është një ndeshje mes Amerikës dhe Rusisë. Nëse fiton Amerika, do të ketë marrëveshje që do të nënshkruhet më 10 qershor 2019. Nëse fiton Rusia, nuk do të ketë marrëveshje”.

“Në Maqedoni pati një ndeshje ku fitoi Rusia, falë një numri të madh të shqiptarëve që nuk dolën për të votuar për t’i bërë qejfin Rusisë dhe për t’i prishur punë Amerikës. I kuptoj maqedonasit që nuk kanë dalë për të votuar sepse është lënduar krenaria e tyre kombëtare por nuk i kuptoj shqiptarët që nuk dolën për të votuar”.

SHPËRNDAJE