Studentët e Limak ASI vizitojnë Francën (Foto)

Një grup i studentëve nga Instituti Limak për Shërbime të Aeroportit kanë vizituar qytetin e Lionit si pjesë e programit trajnues të themeluar nga kompania Limak që menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ata patën rastin që të njoftohen më shumë me praktikat e punës në Aeroportin e Lionit si dhe të vizitojnë terminalin e ri cili ishte në fazën e fundit të përfundimit.

Më tej, studentët kanë vizituar disa nga atraksionet më të mira turistike në qytetin e Lionit dhe atë të Anesisë. Arkitektura mahnitëse dhe pamjet pitoreske të këtyre qyteteve ishin disa nga pikat më mbreslënëse të kësaj vizite.

“Është viti i tretë i realizimit me sukses të këtij projekti dhe jemi shumë të kënaqur me punën e deritashme. Këto vizita kanë një rëndësi të veçantë për studentët tanë meqenëse ndikojnë në zgjerimin e njohurive të tyre në fushën e aviacionit dhe familjarizimin me metodat e punës në aeroporte të ndryshme” – deklaroi me këtë rast Haldun Firat Kokturk, drejtor gjeneral i ANP “Adem Jashari” dhe anëtar bordi i Limak.

Ndërkaq, prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustina deklaroi: “Jemi të kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë me Limak Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Projektet e tilla kanë një rëndësi të veçantë në aftësimin e studentëve tanë përtej njohurive të ofruara nga Universiteti i Prishtinës”

Instituti Limak për Shërbime të Aeroportit, tashmë në vitin e tretë të themelimit të tij, ka trajnuar dhe ofruar mundësi punësimi për 60 studentë të Universitetit të Prishtinës deri më tani, ndërkaq së fundmi edhe 30 studentë të tjerë kanë përfunduar trajnimet dhe janë duke ndjekur punën praktike në aeroport.