Tahiri: Arsyeja pse asnjë partie s’i konvenon shkuarja në zgjedhje

Analisti i njohur nuk sheh rrëzim të Qeverisë siç po paralajmërohet pasi deputetët thotë ai, në këtë mënyrë do ta humbnin mundësinë që për një vit të plotë ta merrnin kompenzimin e pagës, por parasheh një formë të zgjerimit të saj.

Analisti politik, Ramush Tahiri, tha për Gazetën Metro se është shumë e vështirë të besohet që deputetët ta votojnë rrezimin e Qeverisë, apo të votojnë vetë shpërndarjen e Kuvendit duke e çuar vendin në zgjedhjet e jashtëzakonshme

Kjo pasi siç thotë ai, ata do ta humbnin mundësinë që për një vit të plotë ta merrnin kompenzimin e pagës.

‘Marrja e pagave njëvjeqare për deputetët pa punuar është interes personal dhe privat dhe si i tillë është e mirë mbipartiake dhe mbi shtetërore për ta, prandaj nuk votojnë dhe e zhagisin një vendimarrje të tillë,’ tha Tahiri.

Por, analisti Tahiri tha se mund të ndodhë një zgjerim i Qeverisë në kushte të reja, e cila do ta mirrte vendimin për pezullimin e taksës, gjë për të cilën shton se do të bëhej me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.

“Po mbahet shpresë se në një formë do të arrihet zgjerim i Qeverisë me PSD-në, eventualisht me LDK-në ose së paku me një grup të saj, më pas në kushte të reja do të merret vendimi për pezullimin e taksës. Me të tilla përpjekje janë duke e mbajtur edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë, të cilëve çdo alternativë janë duke ua paraqitur më të keqe dhe më të paparashikueshme se sa gjendja ekzistuese”, thotë ai.

Ndërsa deklaratën e dy ditëve më parë të nënkryetarit të PDK’së, Xhavit Halitit, se Qeverinë e rrëzojnë për dy ditë nëse është në interes të tyre, ai e cilëson si të pamundur.

Sipas Tahirit, shkuarja në zgjedhje nuk i konvenon PDK’së. Pasi siç tha ai, kjo parti ka mbetur e vetmuar dhe izoluar prej të gjitha partive të tjera.

“Pasi Haradinaj po deklarohet se nuk do e heqë taksën e as nuk do të dorëhiqet, atëherë kjo PDK-në e vë në pozitë të palakmueshme sepse nuk e ka kurajon ta rrëzojë Qeverinë nga fakti se AAK dhe Haradinaj ka fituar popullaritet dhe elektorat, gjë që shkon në dëm të PDK-së”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka përfunduar duke thënë se disa liderë dhe parti e dëshirojnë rrëzimin e Qeverisë dhe mbetjen e taksës si opsionin e vetëm me të cilën gjë nuk po pajtohen ndërkombtëarët, të cilët hap të parë e kërkojnë pezullimin e taksës dhe rikthim të dialogut mes dy vendeve.

Kujtojmë se dy ditë më parë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi se Qeveria mund të rrëzohet për dy ditë, nëse partia e tij do.

Ndërsa, kundër kësaj Qeverie ka kohë që janë shprehur edhe Lista Serbe dhe tri partisë opozitare LDK, Vetëvendosje e Alternativa. Të cilat janë deklartuar të gatshme për rrëzim të saj.