Takim urgjent PDK e AAK

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherësh nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin, me të cilin kanë diskutuar për hapat e mëtutjeshëm që do të ndërmarrin si partnerë koalicioni për çështjen e taksës.

Bahtiri, ka bërë të ditur se me Veselin ka diskutuar edhe për peticionin e nisur nga ai për Bashkimin e Mitrovicës.

Çështja e taksës dhe dëmtimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë që sonte të mblidhen në një takim të përbashkët dy partnerët e koalicionit qeverisës, PDK e AKR.

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri në një deklaratë dhënë Periskopit ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin, me të cilin kanë diskutuar seriozisht për hapat e mëtutjeshëm që do t’i ndërmarrin si partnerë koalicioni lidhur me situatën aktuale politike në vend.

Bahtiri ka thënë se në takim me Veselin, njëzëri kanë theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë dëmtimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për asnjë çmim.

Ai ka thënë se nuk do të lejojnë që askush që flet në emër të Kosovës, t’i dëmtojë raportet me mikun më të mirë dhe më besnik të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne kemi diskutuar për situatën politike që po mbretëron dhe kam potencuar maksimalisht se raportet e Kosovës me SHBA-në në asnjë mënyrë nuk guxojnë të dëmtohen, shkaku i taksës. Kjo ka qenë tema kryesore që unë kam dashur të diskutojë me partnerin tim. Kemi biseduar për hapat e mëtutjeshëm se si të veprojmë në këtë çështje. Të shohim se si po reagon tutje procedura dhe angazhimi i kryeministrit, që ta shohim se çka mundet me ndodh”.

“Ne jemi të vendosur që raportet e Kosovës me Amerikën nuk guxojnë të dëmtohen, sepse mikun më të mirë dhe më të madh shqiptarët e kanë Amerikën. Jemi të brengosur jashtëzakonisht shumë për një mosangazhim total për marrjen e një vendimi të përbashkët për këto çështje. Ne do të shohim se si do të zhvillohen procedurat, por ne nuk do të lejojmë askush që flet në emër të Kosovës t’i dëmtojë raportet me SHBA’në”, ka thënë Bahtiri për Periskopin.

Por, pavarësisht insistimit, Bahtiri nuk ka treguar se çka do të ndërmarrin ai dhe Veseli si partnerë koalicioni.

Tutje, ai ka bërë të ditur se gjatë takimit me Veselin, ka diskutuar edhe për çështjen e procedimit të peticionit për bashkimin e Mitrovicës.

Ai ka thënë se janë dakorduar me Veselin që sa më shpejt të caktojnë seancën për të.

“Veseli më ka thënë se po i ndjekin procedurat, të shohim se si do të shkojë tutje. Sigurisht që Veseli e ka dhënë përkrahjen qysh moti për peticion”, ka thënë Bahtiri.

Peticionin për bashkimin e Mitrovicës, Bahtiri ia kishte dorëzuar Veselit më 16 janar dhe ai i kishte premtuar se do ta rishqyrtonte këtë çështje.

Javë më parë, në një debat televiziv Veseli kishte deklaruar se Mitrovica është një, si Zoti, dhe se nuk do të lejojë askënd që ta dëmtojë atë, derisa kishte kërkuar maturi të veprimeve politike kur bëhet fjalë për atë pjesë.

Ndërkohë, peticioni për bashkimin e Mitrovicës me mbi 16 mijë nënshkrime ishte dorëzuar për herë të parë më 16 janar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo ky peticion i cili më pas u dorëzua nga Kuvendi në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe nga aty në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), nuk e mori mbështetjen e duhur. Më pas kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri javën e kaluar këtë peticion e dorëzoi tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Bahtiri disa herë kishte përsëritur qëndrimin e tij se bashkimi i Mitrovicës është vullnet i qytetarëve dhe se ai nuk do të lejojë që veriu i kësaj komune të udhëhiqet nga strukturat paralele serbe.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE