Takimi i kryeministrit Haradinajt me atë kroat bëhet lajm në mediat serbe

Afërsia dhe raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, të cilat u shpalosën gjatë një takimi në Dubrovnik, ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe atij kroat, Andrej Plenkoviç, duket se nuk iu kanë pëlqyer fort mediave serbe.

“Kroacia është një partner ekonomik shumë i rëndësishëm për Kosovën”, kështu ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi që po mbahet sot në Dubrovnik, ku po marrin pjesë edhe kryeministrat e rajonit.

Haradinaj gjithashtu ka falënderuar kryeministrin kroat për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, transmeton Gazeta Express.

“Kroacia tradicionalisht e ka mbështetur Kosovën”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Ai gjithashtu ka shtuar se Kroacia është një partner i rëndësishëm ekonomik për Kosovën, dhe trendi i investimeve kroate do të vazhdojë të rritet në të ardhmen, shkruan mediumi serb ‘telegraf’, transmeton Gazeta Express.

“Kroacia e mbështet hyrjen e Kosovës në BE, proces nëpër të cilin po kalon Kosova, e në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë edhe për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO dhe INTERPOL”, ka shtuar Haradinaj.

Edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, ka konfirmuar raportet e shkëlqyera me Kosovën dhe mbështetjen që shteti i tij i jep Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE.

“ Ne do të jemi partneri më i fuqishëm ndërkombëtar për lobim që të njihet subjektiviteti i Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë Plenkoviç.

Ndërkohë disa ditë më parë, gjatë një takimi në Berlin, Plenkoviç derisa ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Prishtinës, ka dalë kundër idesë për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

SHPËRNDAJE