Taksat: Serbia kërcënon me masa ‘të ashpra’, thonë se plani ‘B’ është hartuar në detaje

Pos masave tregtare, sipas medieve serbe, parashihet edhe mosdëgjueshmeri qytetare e serbëve në Kosovë: bllokim i rrugëve e barrikada

Serbia do të bëjë gjithçka që në mënyrën më paqësore të reagojë në vendimin “që s’mbahet mend” të Prishtinës për shtimin e taksës në mallin serb për 100 për qind, por “nëse shqiptarët në Prishtinë nuk mushen mend, do të pasojë përgjigja e ashpër”, shkruan portali serb “Srbija danas” (Serbia sot).

Sipas burimeve anonime nga kreu shtetëror serb, portali shkruan se në disponim kanë “një botë të tërë mundësish”:

– ndalimi i mallit të Kosovës nëpër Serbi
– nuk do t’i pranojnë dokumentet e Kosovës dhe tabelat
– do të ndalohet shitja e prodhimeve të kompanive shqiptare nga Kosova
– mosdëgjueshmëri qytetare e serbëve në Kosovë, bllokimi i rrugëve, barrikada…

Për këto, sipas portalit, është biseduar në mbledhjen e Këshillit për siguri kombëtare të mërkurën në mbrëmje.

“Plani B është hartuar në detaje. Megjithatë, në çdo mënyrë të mundshme do të përpiqemi të mos vije deri te ai. Por, nëse do të ndërmarrim këto masa, Prishtina do të pësojë dëme të mëdha dhe jam i sigurtë se do të pendohen pse i kanë hyrë kësaj aventure”, i ka thënë një bashkëbisedues portalit, i cili ka shtuar se të gjithë ministrat e këshillit kanë marrë detyra konkrete.

Sipas vlerësimeve të ekonomistëve të Serbisë të paraqitura në portalin serb, dëmi i Kosovës do të ishte me dhjeta, ndoshta edhe qindra miliona euro, sepse, sipas tyre, mesatarisht nga Kosova drejt vendeve të BE-së në muaj kalojnë 5.000 kamionë me mall, ndërsa nga BE-ja në Kosovë madje 30.000 kamionë. Ata kamionë, thonë ata, do të duhet të kalojnë rrugë më të gjata, të shpenzojnë më shumë karburant, të paguajnë më shumë taksa rrugore. Ndërsa për shitjen e mallit nga Kosova në Serbi thonë se dëmet nuk do të jenë të mëdha, sepse mall i tillë është i pakët në Serbi.

Po ashtu, portali thotë se serbët e Kosovës janë të gatshëm për mosdëgjueshmëri qytetare, bllokim të rrugëve e ngritje barrikadash, e në këtë frymë ka folur kryetari i Listës serbe Igor Simic./GazetaMetro.net

SHPËRNDAJE