Tek tash e pranon Tmava: ‘Trepça’ përballet me shumë probleme

Edhe pas konstituimit të institucioneve të shtetit të Kosovës gjendja në “Trepçë” vazhdon të jetë e njëjtë, as me AKP-në e as me Qeverinë e Kosovës. Kjo e fundit nuk ka arritur ta formojë Bordin Mbikëqyrës e as atë Menaxhues pa të cilët nuk mund të zbatohet Ligji për “Trepçën”, shkruan sot Gazeta “Zëri

Ndonëse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka urdhëruar ministrat, Valdrin Lluka (Ministria e Zhvillimit Ekonomik), Skender Reçica (Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale) dhe Bedri Hamza (Ministria e Financave) që të ndërmarrin veprime konkrete në zbatim të Ligjit për “Trepçën” ngase gjendja në gjigantin ekonomik kosovar vazhdon të jetë e njëjtë, as me AKP-në e as me Qeverinë e Kosovës.

Përveçse me vështirësi të mëdha, siç janë infrastruktura, pastaj teknologjia e vjetruar, “Trepça” është duke u përballur edhe me problemin thelbësor të funksionimit, duke përfshirë edhe vulat, shkruan tutje Zëri.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka thënë se është jetike fillimi i zbatimit të Ligjit për “Trepçën”, që nënkupton në radhë të parë formimin e dy bordeve: Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues.

“E përsëris, duhet të ketë ndonjë autoritet që mund t’i lëvizë gjërat përpara në këtë situatë. Ndërmarrja nuk ka statut, ai duhet të miratohet në Qeverinë e Kosovës. ‘Trepça’ përballet me shumë probleme. Duhet të bëhet ristrukturim në të gjitha segmentet, edhe te punëtorët. Është obligim ligjor që të ecim tutje. Duhet të formohet edhe Bordi Mbikëqyrës. Ky bord duhet do të përbëhet prej ekspertëve. Ka edhe telashe këtu, nëse shkojmë si në bordet klasike. Pra, duhet të kemi mënyrë tjetër”, ka thënë drejtori Tmava.

Ndërmarrja është nën menaxhimin e Qeverisë

Tmava ka shpjeguar se megjithëse formalisht ndërmarrja është nën menaxhimin e Qeverisë, ky menaxhim nuk është ende funksional pa zbatimin e ligjit, i cili e rregullon mënyrën e menaxhimit.

Në anën tjetër ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, Valdrin Lluka, menjëherë pas emërimit ka premtuar se do të angazhohet për funksionalizimin e “Trepçës”, duke siguruar se “Trepça” është prioritet i tij.

“Funksionalizimi i plotë i ‘Trepçës’ është jetik për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe në interesin e përgjithshëm publik. Menjëherë do t’i përvishemi punës, do të themelojmë bordin e ndërmarrjes që t’i hapim rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të ndërmarrjes ‘Trepça’ përmes hapjes së rrugës për investime që janë jetike për zhvillimin e ndërmarrjes dhe mirëqenies sociale të punëtorëve”, ka thënë Lluka.

Por përveç këtyre deklaratave ministri Lluka nuk ka ndërmarrë as një hap tjetër për ta shtyrë përpara procesin e shndërrimit të “Trepçës” nga një ndërmarrjeje shoqërore nën menaxhim të AKP-së në ndërmarrje publike nën menaxhim të shtetit të Kosovës, ashtu siç parashikohet me ligj.

Edhe Qeveria e Kosovë pos një letre të kryeministrit Ramush Haradinaj tre ministrave, në të cilën ka kërkuar nga ata që të angazhohen për zbatimin e Ligjit për “Trepçën”, nuk ka bërë asgjë konkrete sidomos për formimin e dy bordeve, pa të cilat nuk mund të zbatohet ligji.

Haradinaj ka kërkuar veprime të shpejta dhe konkrete

Ramush Haradinaj nëpërmes një letre ka kërkuar nga ministrat në kabinetin e tij qeveritar që të përfshihen me veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për “Trepçën”, si dhe adresimin e kërkesave të tjera të minatorëve të “Trepçës”.

Në letrën e kryeministrit Haradinaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukës, i është kërkuar t’i shqyrtojë kërkesat e natyrës ligjore të parashtruara nga Ahmet Tmava, drejtor i “Trepçës”, siç janë miratimi i Statutit të “Trepçës”, regjistrimi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, regjistrimi i njësive banesore “Trepça” SH.A dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe financiare.

Nga ministri Skender Reçica (MPMS) kryeministri Haradinaj ka kërkuar që në bazë të vlerësimeve të drejtorit të “Trepçës”, Ahmet Tmava, të sigurohet baza juridike për dhënien e pensioneve me 70 për qind nga paga e punëtorëve, ashtu siç janë pensionet në disa institucione në Republikën e Kosovës, të sigurohet baza juridike për pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999, punësimi i të rinjve dhe zbatimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Ndërkaq nga ministri i Financave, Bedri Hamza, Haradinaj ka kërkuar që duke u bazuar në Ligjin mbi Faljen e Borxheve Publike ndërmarrja “Trepça”, si shoqëri aksionare, të përfshihet në faljen e borxheve të krijuara në kohën e UNMIK-ut.

Por me gjithë kërkesat e Haradinajt asnjë nga ministrat nuk kanë lëvizur nga vendi dhe nuk kanë përfillur rekomandimet e tij dhe në këtë mënyrë kombinati “Trepça”, sipas drejtorit Ahmet Tmava, vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha të funksionimit.

Në “Trepçë” thonë se nuk kanë njohuri as për rezultatet e një studimi të fizibilitetit, i cili është kryer në “Trepçë” apo që ka filluar dhe nuk dinë se si ka përfunduar.

Sipas ish-drejtuesve të “Trepçës”, i vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës është kryer para 25 vjetëve, në vitin 1992, dhe është vlerësuar se potenciali material i “Trepçës” është 85 miliardë dollarë amerikanë.

Bie prodhimi

Në anën tjetër, drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava thotë se ka edhe rënie të prodhimit, por që pagat për minatorët dhe për stafin tjetër sigurohen me kohë.

“Me gjithë problemet që kemi, minatorët dhe stafi tjetër rregullisht marrin pagat. Edhe prodhimi ka rënë, por që me angazhimin e madh, sidomos të minatorëve, prodhimi i xehes nuk ka ngecur dhe puna në minierë nuk është ndalur asnjëherë”, ka thënë drejtori Tmava.

Për vështirësitë flasin edhe punëtorët.

Njëri prej tyre, Rrahman Beqiri thotë se mungesa e mirëfilltë e filtrimit të ajrit dhe teknologjia e vjetruara e bëjnë më të vështirë dhe më të rrezikshme punën në minierë.

“Një ditë e punës në minierë është me shumë vështirësi të mëdha dhe me rreziqe, teknologjia është amortizuar, gjë që në disa vende të tjera të botës një teknologji aq e vjetër nuk përdoret fare. Por ne punojmë, nuk do të ndalemi”, thotë ai.

Minatorët thonë se pagat aktuale të punëtorëve sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale, por asnjë nga ata nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e katër bankave të Serbisë dhe 410 ish-punëtorëve serbë të Kishnicës e Artanës (Novobërdë) rreth përputhshmërisë së Ligjit të “Trepçës”, duke i konsideruar ata si palë të paautorizuar për të ngritur çështje kushtetuese të përgjithshme.

Në Gjykatën Kushtetuese janë parashtruar tri kërkesa me të cilat atakohet Ligji për “Trepçën”.

Kërkesën e parë e ka parashtruar “Kosovska banka SHA”, me seli në Beograd. Ajo ka kërkuar nga Gjykata që ta shpallë Ligjin për “Trepçën” në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe ta refuzojë atë, ndërsa parashtruesit e kërkesës së dytë janë tri banka tjera në Serbi: “Jugobanka SHA”, “Beobanka SHA”, “Beogradska banka SHA”. Këto tri banka kanë kërkuar njëjtë sikurse ‘Kosovska banka SHA’.

Kërkesa tjetër (kërkesa e tretë) që është hedhur poshtë nga Kushtetuesja është paraqitur nga Momçilo Nedelkoviq, në emër të 410 punëtorëve të tjerë të minierave në Kishnicë dhe në Artanë.

Ata i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vlerësimin kushtetues të përputhshmërisë së Neneve 1, 2, 3, 4, 5, 6, 14, 15, 16 dhe 17 të Ligjit të “Trepçës”, duke pretenduar që me këto nene është bërë transformimi pronësor në favor të ndërmarrjes “Trepça SHA”.

Ndryshe, kombinati “Trepça përbëhet nga 41 njësi të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha në: miniera me flotacione, Parkun Industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE