Telekomi ia dha 300 mijë euro për një film Trim Musliut, që tash është kryeshef në këtë kompani

Qindra mijëra euro vazhdojnë të paguhen nga Vala, e cila është buzë falimentimit në emër të subvencionimit të kulturës në Kosovë.

Përfituesi i fundit i këtij subvencionimi është Trim Musliu, i cili ka ditë që po e ushtron pozitën e kryeshefit të Telekomit të Kosovës që kur Gent Begolli dha dorëheqje, raporton KTV.

Regjisori dhe Producenti i filmit “MALA”, Musliu, ishte punësuar në Telekom në fund të prillit, derisa në qershor ishte vënë në krye të Marketingut të Telekomit, kompani kjo që po përballet me krizë financiare.

Por, kjo nuk paraqiti problem, që ky departament gjatë kësaj kohe t’ia ndajë 300 mijë e 15 euro kompanisë “Morea SHPK”, që është duke e realizuar filmin e tij “Mala”, xhirimet e të cilit kanë nisur në muajin shtator.

“Kohavisioni” ka siguruar faturat e pagesës së kësaj shume që Vala ka bërë në llogarinë e “Morea SHPK”, në pronësi të Faton Bajraktarit.

Në qershorin e këtij viti, Telekomi përmes dy faturave në llogarinë e saj derdhi 107 mijë e 85 euro. Në korrik edhe më shumë se 150 mijë euro të tjera derisa fatura e fundit me vlerë prej 42 mijë e 480 euro u pagua në llogarinë e “Moreas” më 4 tetor të këtij viti.

“Kohavisioni” e ka pyetur Telekomin e Kosovës për këto pagesa, por ata kanë zgjedhur të heshtin përballë interesimit të televizionit.

Trim Musliu dhe Faton Bajraktari kanë bashkëpunuar me disa projekte të ndryshme filmike siç është filmi ‘Home Sweet Home”, i cili në vitin 2016 ishte propozimi i Kosovës për “Oscars”.

Ndryshe, filmi “Mala” bazohet në një ngjarje të vërtetë, e ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më herët Musliu kishte deklaruar se filmi “Mala”, do të paraqesë dëshmi të gjalla të tmerrit të përjetuar, masakrës, si dhe gjykimin e padrejtë ndaj kosovarëve nga ana e ndërkombëtarëve.

Trim Musliu është kandidat edhe për kryeshef të Telekomit, konkurs i cili është hapur javën e kaluar dhe bazuar në deklarimet e Bordit, ai do të monitorohet nga Ambasada Britanike.

SHPËRNDAJE