Telekomi paralajmëron rebelim të punëtorëve nëse nuk kthehen mjetet nga Blerim Devolli

Menduh Abazi, drejtor i Departamentit për Relacion me Publik në Telekom, në një konferencë për media ka thënë se gjithçka është kthyer në pikën zero, derisa ka kërkuar ndihmën e Qeverisë në kthimin e mjeteve nga Dardafoni.

“Llogaritë kanë bllokuar të hënën dhe paratë kanë filluar të tërhiqen dje. Edhe pse është paralajmëruar që marrëveshja është finalizuar dhe ka pasur të ndodhë vetëm akti ceremonial i nënshkrimit të marrëveshjes”, ka thënë Abazi.

Ai ka shtuar se me tërheqjen e mjeteve nga Dardafoni është rrezikuar shteti i Kosovës, pasi të gjitha agjencitë janë të lidhura me Telekomin e Kosovës.

“Ka brenda një rebelim të punëtorëve për shkak se dje kanë pritur që të marrin pagat. Ne kemi qenë duke bashkëpunuar me qeverinë dhe kemi bërë plane konkrete për rimëkëmbje të Telekomit. Goditja që ka ndodhur dje ka kthyer gjithçka në pikën zero. Ne presim përkrahje nga qeveria e të gjitha partitë politike”, ka thënë Abazi.

Abazi ka shtuar se Telekomi është mbështetur për muri dhe nuk mund të bëjë asgjë më shumë se sa që ka bërë deri më tash.

“Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë me qeverinë. Me atë që ka ndodhur dje jemi totalisht të bllokuar e do të bien të gjitha shërbimet. Kërkojmë nga qeveria që të reagojë fuqishëm e të kërkojë nga Dardafoni që t’i kthejë mjetet”, ka thënë Abazi.