Tenderi sekret i Ministrisë së Bujqësisë dëmton buxhetin e shtetit për 176 mijë euro

Plot 176 mijë euro është dëmtuar buxheti i shtetit në një tender të vitit 2018, që kishte për qëllim përkrahjen e fermerëve kosovarë. Ministria e Bujqësisë angazhoi kompani private, ani pse punët e njëjta mund të kryheshin nga vet stafi i ministrisë.

Në vitin 2018, Ministria e Bujqësisë kishte angazhuar kompani private në një tender për përkrahjen e fermerëve kosovarë, ani pse punët e njëjta mund të kryheshin nga stafi i ministrisë.

Kontrata “Përkrahja e Fermerëve për analiza të tokës, trajnime, këshillime dhe rekomandime për rezultatin e analizave të tokës” ishte nënshkruar më datë 22.06.2018 në vlerë të 176,199 eurove me një operator ekonomik, përkundër faktit që analizat e tilla mund të realizohen nga Instituti Bujqësor i Kosovës, i cili operon në kuadër të ministrisë.

Kështu, buxheti i shtetit u dëmtua me plot 176 mijë euro.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo kishte ndodhur për shkak të vendimit të gabuar të menaxhmentit të MBPZHR-së për kontraktimin e kryerjes së këtyre shërbimeve.

“Mos shfrytëzimi i resurseve njerëzore dhe teknologjike të cilat posedon Instituti Bujqësor dhe lidhja e kontratave me operator ekonomik privat ndikon në shpenzimin e pa arsyeshëm të fondeve buxhetore”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019.

Në raport, Auditori konstaton se ministri duhet të sigurojë se para inicimit të çdo aktiviteti të prokurimit, duhet të merret parasysh neni 9.4 i LPP-së, në mënyrë që të mos kontraktohen jashtë, shërbimet të cilat mund t’i kryejnë organet/institutet që operojnë brenda vet ministrisë.

Emri i kompanisë mbahet i fshehtë nga ministria

Emri i kompanisë që e ka fituar tenderin në fjalë nuk figuron në dosjen e tenderit në KRPP. Të fshehtë emrin e kompanisë e ka mbajtur edhe Ministria e Bujqësisë, e cila nuk është përgjigjur në pyetjet e adresuara për këtë çështje.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar aktivitetet e Institutit Bujqësor të Kosovës (IBK). Në bazë të publikimeve, shihet se ky Institut i kishte të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i kryer punët sipas kërkesave të tenderit për fermerët.

Në një njoftim të Ministrisë së Bujqësisë të vitit 2019, të publikuar në sajtin e ministrisë, thuhet se në IBK bëhen kontrolla të cilësisë së inputeve bujqësore, ushqimit dhe ruajtja e ambientit jetësor, gjithashtu bëhen edhe hulumtime të varieteteve të kulturave bujqësore si: grurit, elbit, misrit dhe patates në kushtet agroekologjike të Kosovës. Por prioritet, Instituti ka edhe identifikimin e agjentëve të dëmshëm biologjik si dëmtuesve, patogjenëve, barojave të këqija e të tjera.

“Në Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryhen analizat e tokës, por edhe të viruseve për bimët e mbjella. “Në pesë laboratorët e këtij Instituti bëhet diagnostikimi i viruseve që ndikojnë në sëmundjen e kulturave bujqësore”, thuhet në njoftim.

Investime të vazhdueshme në IBK

Për më tepër, Ministria e Bujqësisë kishte investuar vetë në ngritjen e kapaciteteve të këtij Instituti. Në fund të vitit 2018, kjo ministri kishte dhënë tender në vlerë të 38 mijë e 999 eurove për “ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe prodhuese të pronave – tokave bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës”.

Zyra për Informim e Ministrisë së Bujqësisë nuk është përgjigjur në pyetjet se pse kanë angazhuar kompani private për të kryer hulumtime bujqësore, kur në të njëjtën kohë është investuar edhe në ngritjen e kapaciteteve të Institutit.

I kontaktuar nga Buletini Ekonomik, sqarime nuk ka pranuar të japë as Drejtori i IBK-së, Fehmi Geci.

“Meqenëse Instituti Bujqësor i Kosovës komunikimin me publikun e organizon përmes Divizionit për Komunikim me Publikun në kuadër të MBPZHR-së, ju lutem për mirëkuptimin tuaj, që kërkesën tuaj, të na e adresoni përmes Shefes së këtij Divizioni”, është përgjigjur Geci. Buletini Ekonomik edhe në këtë rast ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim të Ministrisë së Bujqësisë, por nuk ka marrë përgjigje.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE