Thaçi e quan të rrezikshme taksën ndaj Serbisë, thotë se s’bën të prishemi me ndërkombëtarët

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi e ka quajtur hap jo të duhur vendimin e Qeverisë “Haradinaj” për vendosjen e taksës 10% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.

Në një konferencë nga Parisi, presidenti Thaçi është pyetur nga reporteri i “Indeksonline” rreth kësaj çështje.

Duke përmendur reagimet e Bashkimit Evropian rreth vendosjes së kësaj taksës, Thaçi ka bërë me dije se vendimet e tilla nuk i sjellin të mira vendit.

“Ne duhet të shikojmë në interesin tonë shtetëror. Duhet të punojmë me përgjithësi të mëdha me veprime balancuese që janë në interes të klimës dhe kultivimit të interesit shtetëror. Diçka e tillë nga ana e autoriteteve evropiane veç është një deklarim i tyre, ajo që potencoj është se duhet të shikojmë që të punojmë dhe të krijojmë argumenteve të BE dhe amerikan na mbështesin,  e jo argumentet që e komplikojnë mbështetjen e tyre para mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë”, është shprehur ai.

Tutje, Thaçi ka folur edhe për kërcënimin e Listës Srpska për dalje nga Qeveria, pas vendosjes së sanksioneve tregtare. Kjo, sipas tij, do ta komplikojë vazhdimin e punës së ekzekutivit, duke mos përjashtuar që mund të ketë edhe zgjedhje të reja.

“Ne ndërtojmë një shtet në bazë të realitetit multi-etnik. Kosova nuk do të ketë kufijve të bazave etnike. Nuk do të ketë shkërbim.  Vendimi i tyre për daljen nga Qeveria nuk është ndihmuese për Kosovën. Ka vu në turbulencë udhëheqjen e vendit dhe kjo e komplikon”, është shprehur ai.

Ndryshe, pas ngritjes nga Kosova të tarifës së importit për Serbinë, zëdhënësja e BE-së ka kërkuar sqarim urgjent dhe tërheqje të vendimit të qeverisë së Kosovës për të shtuar taksat për mallrat serbe.

Maja Kocijanqiq, ka kërkuar sqarim urgjent dhe tërheqje të vendimit të së martës të qeverisë së Kosovës, për futjen e tarifave shtesë për produktet e Serbisë dhe ato të Bosnjë e Hercegovinës, një vendim që ka hidhëruar edhe Beogradin zyrtar.    /Indeksonline/

SHPËRNDAJE