Thaçi ia kushtëzon Haradinajt shkarkimin e shefit të AKI-së me arrestimin e Milan Radojiçiqit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë të dielën në mbrëmje, një ditë para arrestimit dhe ka qëndruar në banesën e Milan Radojçiqit që ndryshe njihet si “bosi” i veriut.

Ky deklarim i Thaçit është kundërpërgjigje ndaj kërkesës së kryeministrit Haradinaj që shefi i AKI-së, Driton Gashi të jep dorëheqje.

Veriu.info mëson se në takimin e djeshëm mes krerëve të shtetit, të mbajtur në një restorant në periferi të Prishtinës, presidenti Thaçi i ka bërë të qartë kryeministrit Haradinaj se nuk do ta aprovoj shkarkimin e shefit të AKI-së, i cili mund të largohet nga kjo detyrë vetëm me miratimin e përbashkët të presidentit dhe kryeministrit.

Mirëpo, siç bëjnë të ditur burimet e portalit Veriu.info, Thaçi më vonë ka pranuar shkarkimin e Driton Gashit, me kusht që kryeministri Haradinaj të pajtohet me arrestimin e ‘bosit’ të pjesës veriore të Kosovës, Milan Radojiçiq, për të cilën Ramush Haradinaj ka pranuar se e ka mik.

Kjo kërkesë e Thaçit gjendet në tavolinën e Haradinajt prej dy javësh, por që i pari i Qeverisë nuk po e pranon me arsyetim se mund të ketë trazira në veri.

Se cili do të jetë fati i Driton Gashit, e gjitha pritet të mësohet të martën, e cila është dita e parë e punës në javën e ardhshme.

Burime brenda Qeverisë i kanë thënë portalit Veriu.info se nëse nuk shkarkohet Driton Gashi, gjë për të cilën ligjërisht miratimin duhet ta jep edhe presidenti, atëherë Qeveria Haradinaj do të bie gjatë muajit prill.

Veriu.info mëson se në banesën e Milan Radojçiqit, në mbrëmjen e 5 shtatorit 2017 ka qendruar edhe kryeministri Haradinaj, ku edhe ka negociuar kushtet e Listës Serbe për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE