Thaçi: Pa marrëveshje mbi kufijtë, s’ka të ardhme evropiane për Kosovën e Serbinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur qëndrimet e tij se pa një marrëveshje mbi kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë,  nuk ka të ardhme evropiane për të dyja vendet.

Në një intervistë për “France 24”, Thaçi është shprehur se marrëveshja do të nënshkruhet vetëm atëherë kur të marrë garancinë se e njëjta do të përfshijë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, transmeton lajmi.net.

“Kur BE-ja edhe SHBA-të garantojnë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, atëherë do të nënshkruaj marrëveshjen e paqes mes të dy vendeve”, ka thënë ai.

Tutje, Thaçi ka thënë se marrëveshja mes dy vendeve do të garantojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe se një gjë e tillë sipas tij do të parandalojë edhe ndarjen.

“Marrëveshja do të përfshijë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e cila do të parandalojë ndarjen e Kosovës dhe formimin  Republikës Serbe në Kosovë. Mundësia e vetme pas këtyre viteve konflikt do të ishte një zgjidhje racionale mes dy vendeve. Nëse të dy vendet pajtohen për demarkimin e kufirit, askush nuk mund të dalë kundër kësaj. Ata që flasin për hapjen e Kutisë së Pandorës me këtë rast nuk mund të propozojnë një zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë tutje ai.

Thaçi ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB, proces për të cilin ka thënë se ka sinjale pozitive edhe nga Rusia se do ta tërheqë veton në rast të arritjes së marrëveshjes me Serbinë. /Lajmi.net/

SHPËRNDAJE