Thiago: Guardiola është bërë më magjik me kalimin e kohës

Thiago Alcantara beson se Pep Guardiola është bërë vetëm më i mirë dhe më magjik me kalimin e kohës. Ai beson se trajneri i Manchester Cityt e ka dëshmuar se çfarë mund të arrijë kur ka punuar me lojtarë më të mirë.

Ylli i Bayern Munichut fillimisht punoi me Pep Guardiolën në Barcelonë dhe pastaj ata u ribashkuan në Bayern Munich në vitin 2013, transmeton Gazeta Express.

Guardiola vlerësohet si njëri ndër trajnerët më të mirë në botë dhe Thiago e ka theksuar mënyrën se si trajneri i Manchester Cityt vazhdimisht e ka përmirësuar veten, duke u bërë kështu trajner më i mirë.

“Unë gjithmonë e bëj krahasimin që trajneri punon si lojtarët. Kur e vendos një lojtar në një skuadër të mrekullueshme, ai bëhet më i mirë dhe i bën edhe bashkëlojtarët e tij më të mirë”, ka thënë Thiago.

“Me kalimin e viteve, ai u bë më i mirë si trajner, jo vetëm për shkak të përvojës, por edhe për shkak se ai punoi me lojtarë më të mirë dhe mund të bënte gjëra më të mira me ta në fushën e lojës”.

“Ai u bë më magjik, me më përvojë, më taktik, më gjithçka”.

Thiago fillimisht u takua me Guardiolën kur ishte pjesë e akademisë së famshme të Barcelonës, La Masia, dhe 48-vjeçari e la një përshtypje të mirë menjëherë te futbollisti.

“Ai ishte në stërvitjet e ekipit U-16. Unë isha aty me bashkëlojtarët e mi dhe ai po na mësonte neve se si të luajmë një ndeshje në bazë të pozicioneve tona”, shtoi Thiago.

“Ne ishim në stërvitje dhe ai e pa se dy apo tre prej nesh ishim më ndryshe. Ai erdhi me ne dhe na tha: “Ajo që e bëtë me topin ishte e mrekullueshme, por tentoni ta bëni kështu”. Ti gjithmonë i merr seriozisht këshillat e njerëzve me përvojë”.

“Ju mund ta vërenit menjëherë se ai ishte i shqetësuar për taktikat e gjërat teknike. Ju mund ta shihnit se ai ishte shumë i mirë dhe ishte Pep Guardiola, një ish-futbollist. Ti vetëm e respekton atë dhe duhet të mësosh nga ai”.

“Gjëja më e madhe që ai ma ka mësuar mua është pasioni dhe përkushtimi për këtë sport. Por, në atë kohë, ju nuk mund ta dinit se ai do të ishte i mrekullueshëm në të ardhmen”. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE