“Trepça” me probleme të mëdha financiare, punëtorët marrin vetëm 50% të pagës për muajin prill

Ndërmarrja “Trepça” tash e një kohë është duke u udhëhequr nga menaxhmente të përkohshme dhe pa kryeshef ekzekutiv, shkruan gazeta online veriu.info

Problemet e mëdha me të cilat po përballet ndërmarrja “Trepça” ka bërë që punëtorët e kësaj ndërmarrje për muajin prill të marrin vetëm 50% të pagës së tyre.

Këtë për gazetën online veriu.info e ka konfirmuar drejtuesi i Bordit Mbikqyrës, Ardian Syla, i cili ka thënë se për shkak të prodhimit të ulët në ndërmarrje, që varet ekskluzivisht nga disiplina në punë, mungesa e teknologjisë dhe mungesa e fuqisë së re punëtore, pagat për këtë muaj janë në masën 50% por që shumë shpejt do të kompensohen.

Syla ka konfirmuar që pagat varen ekskluzivisht nga niveli i prodhimit, prandaj pa rritjen e prodhimit problemi do të jetë permanent.

Para disa ditësh nga kjo ndërmarrje ka dhënë dorëheqje edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit, Xhevdet Tahiri, duke shtyrë Bordin Mbikqyrës të kësaj ndërmarrje që të emërojë ushtruesn e radhës së detyrës së drejtorit.

Emërimin e radhës e ka konfirmuar drejtuesi i Bordit Mbikqyrës të ndërmarrjes “Trepça”, Ardian Syla.

“Pas dorëheqjes së ish ushtruesit të detyrës së menaxherit, Bordi Mbikëqyrës ka emëruar ushtruesin e detyrës së menaxherit për të mos pasur vakuum në aspektin ligjor. Mirëpo, problemin më të madh tash e një vit e kemi pasur me menaxhmente të përkohshme dhe me ushtrues detyre të menaxherit pasi që ne si Bord Mbikëqyrës e kemi pasur të pamundur që të shpallim konkurs për Bord Menaxhues pa u regjistruar ndërmarrja si shoqëri aksionare.” – ka thënë Syla.

Sipas Sylës konkursi për kryeshef nuk ka qenë i mundur të shpallet pa regjistrimin e ndërmarrjes si shoqëri aksionare, gjë që tashmë është bërë më 8 mars të këtij viti dhe konkursi është shpallur kurse përzgjedhja pritet të bëhet shumë shpejt.

Ndërmarrja Trepça që nga zgjedhja e Bordit Mbiqkyrës është përballur me jo stabilitet duke e pasur parasysh që janë ndërruar 3 ushtrues detyre të cilët kanë dhënë dorëheqje, dhe kjo ka krijuar probleme edhe në aspketin ligjor por edhe menaxherial.

“Trepça” ka vite që po përballet me probleme të shumta dhe sidomos ato financiare që e kanë sjellë këtë ndërmarrje në një gjendje aspak të favorshme sa që nuk mund të mbulojë as pagat e punëtorëve të saj.

Pas shpalljes së konkursit për kryeshef të ndërmarrjes “Trepça” në garë për të marrë këtë post janë shtatë persona: Afrim Osmani, Mentor Demi, Basri Ibrahimi, Valon Leci, Bajram Hoxha, Enis Jukovic dhe Behxhet Nimani.

Përzgjedhja e drejtorit të ri të ‘Trepçës’ do të bëhet këtë javë.VERIU.INFO

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE