Tri javë e shtruar në QKUK, ditën që del nga spitali vdes në aksident

Selvije Berisha, 58 vjeçare, nga fshati Kryshec i Pejës, javëve të fundit përballoi dy infarkte dhe një operacion në zemër që i zgjati 13 orë. Për tri javë kishte qëndruar e shtrirë në QKUK derisa ishte shëruar plotësisht, mjekët e lëshuan dje nga spitali. Sëmundjes në zemër i shpëtoi, por jo aksidentit të rëndë që ndodhi dje në Gllarevë.

Rrugës për në shtëpi vetura në të cilën ndodhej ajo bashkë me të vëllain Malushin dhe bashkëshortin Jakupin, u aksidentua rëndë me një autobus dhe i la të vdekur që të tre. Familjarët po i prisinin me gëzim të madh në shtëpi, por fatkeqësisht ata pranuan kufomat e tyre

Gazeta Express ka qëndruar sot te familja Berisha në Kryshec të Pejës ku familjarët kanë hapur të pamën. Varrimi i çiftit Berisha, Selvija 58 vjeç dhe Jakupi 62 vjeç do të bëhet nesër në prezencën e dy djemve të tyre, të cilët sot vijnë nga Gjermania. Ata kanë edhe një djalë e një vajzë tjetër të cilët jetojnë në Kosovë.

Vëllai i Selvijes Malush Malushaj 50 vjeç është varrosur sot në orën 14.00 në vendlindjen e tij në fshatin Kotradiq të Pejës.

Kunata e çiftit Berisha, Kimetja ka rrëfyer për Gazetën Express ngjarjen se si ndodhi aksidenti. Ajo tha se pas tri javësh qëndrimi në spital Selvija, dje, po kthehej në shtëpi me burrin dhe vëllain. Vëllai i Selvijes, Malushi po voziste dhe pas një tejkalimi të pasigurt ishte ndeshur me një autobus.

“Selvija u bo operacion në spital, ka qëndru 3 javë, 13 orë i ka zgjatë operacioni, mjekët e  shnoshën, dje ka pas me ardhë e shëndoshë, por ka ndodhë aksidenti ne Gllarevë prej Prishtine. Dy herë mjekët e kanë shpëtu prej infarktit, vllau u kan tu i grah kerrit. Në Gllarevë ka tejkalu, i ka ra autobusit, edhe janë mbet dy të vdekur. Malushin e kan çu për Prishtinë, Malushi është vëllai i Selvisë. Deri ne gjysmë të rrugës u kanë i gjallë, në gjysmë të rrugës ka vdekë e kan kthy për Pejë sot e vorrosëm”, rrëfen Kimetja.

Për këtë aksident policia ka dhënë detaje në raportin e sotëm policor. Aty theksohet se janë lënduar edhe tre persona të tjerë të cilët ndodheshin në autobus, por pas tretmanit mjekësor gjendja e tyre është e mirë.

“Rr.Nacionale, Prishtinë-Pejë, fsh.Gllarevë 23.07.2018-14.10. Raportohet aksident trafiku në mes dy automjeteve dhe një autobusi të udhëtareve, me targa vendore, vozitës meshkuj K/Shqiptarë. Si pasojë e aksidentit lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar vozitësi i veturës dhe dy pasagjer një mashkull dhe një femër K/Shqiptar. Kurse vozitësi dhe dy pasagjer në autobusin e udhëtareve, dy meshkuj dhe një femër K/Shqiptare, pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin Rajonal Pejë, janë liruar. Rastit ju kanë përgjigjur njësitë relevante policore, si dhe  njësiti i zjarrfikëseve. Me vendimin e prokurorit, tre trupat e pa jetë i lirohen familjarëve për ceremoninë mortore. Rasti me vendimin e prokurorit iniciohet dhe mbetet të hetohet nga policia”, tha policia.

Më tej Kimetja rrëfen se Malushi ka qenë veteran i luftës së fundit në Kosovë dhe pas vete ka lënë dy fëmijë, gruan dhe nënën 90 vjeçare.

“Malushi nanën e ka 90 vjeç, veteran i luftës është UÇK u kan, ka edhe fëmijë te vegjël. Qikë dhe djalë”, thotë ajo.

Ajo ka një apel për të gjithë shoferët:

“Kush i gra kerrit, le ti grah ma kadale se më mirë një orë me vonesë me shku se me bo ndeshje”, shprehet Kimetja.

Shtepia e familjes Berisha
Shtepia e familjes Berisha

Gazeta Express ka biseduar edhe me zyrtarë nga Policia e Kosovës, Bajram Krasniqi nga zyra për informim në polici ka thënë se v etëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti( janar-qershor) kanë humbur jetën 51 persona nëpër aksidente të ndryshme në komunikacion. Ndërsa vetëm në korrik kanë vdekur gjithësej 14 persona.

Policia e Kosovës vazhdimisht kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugor në mënyrë që bashkërisht të ndikojnë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik. /Gazeta Express

SHPËRNDAJE