U dënua për “qeshje me zë të lartë”, Aida Gashi ankohet me avokat

Aida Gashi me avokat do të ankohet për dënimin e “qeshjes me zë të lartë”, s’përjashtohet padia.

E qeshura e cila i kushtoi me gjobë 100 euro qytetares Aida Gashi mbrëmjen e 18 korrikut, ka ngjallur debat në opinion.

Madje një gjë e tillë e shtyri një grup të të rinjve që në shenjë të solidarizimit me Gashin dhe njëkohësisht në tallje me gjobën, të organizojnë protestën “Të qeshim së bashku” e cila do të mbahet të hënën në Prishtinë.

E, Aida e cila ende nuk e ka paguar gjobën, do të bëjë ankesë në Polici për ta kundërshtuar atë. Për këtë ka gjetur edhe avokat.

Avokati i saj, Tomë Gashi, ka thënë për Koha.net se përmes kësaj ankese, ajo ka për qëllim të sensibilizoj Policinë që të merret me raste më urgjente e jo me të qeshurat e qytetarëve.

Ai thotë se ankesa do të dërgohet fillimisht në Policinë e Kosovës, e pastaj në Gjykatë nëse ajo nuk aprovohet në të parën.

“Ankesa do të dërgohet sipas ligjit, fillimisht në Policinë e Kosovës ku është një departament i posaçëm që vendosë lidhur me këto lloj ankesash. Nëse ata e aprovojnë atëherë përfundon rasti, nëse jo atëherë rasti dërgohet në gjykatë”, thekson ia.

Ai ka thënë se me ligjet aktuale, Policia nuk ka të drejtë të dënojë dikë për të qeshura në publik, ndonëse sipas tij, dënimi i është shqiptuar për ‘prishje të rendit publik’.

Sipas Gashit, është e pamundshme të vërtetohet që zëri i Aidës e ka prishur rendin publik.

“Është e pamundur me vërtetu që zëri i Aidës e ka prish rendin publik, posaçërisht kur ka qenë përballë një lokali në qendër të Prishtinës. Data 18 ka qenë, ditë vikendi, kështu që duket që më tepër e kanë provokuar pyetjet e Aidës, se si e vërteton që e qeshura e saj ka qenë me zë të lartë, edhe që ai ka thënë që e ka mat me vesh”, thotë ai.

Ai thotë se rasti nuk ka të bëjë me çështje individuale, derisa njofton se pikërisht për këtë arsye ajo e ka fshirë emrin e policit nga profili i saj në Facebook, ku edhe e bëri publik dënimin.

“Përmes kësaj ankese e ka qëllim të sensibilizojë Policinë që të merret me raste urgjente dhe me raste më të rënda, p.sh sikur rasti i vrasjes së fëmijës në Fushë Kosovë që nuk kanë reaguar edhe pse ka qenë i raportuar edhe për raste të tjera. Me aq sa më kanë njoftuar polici është jashtëzakonisht i mirë dhe korrekt, për atë arsye edhe Aida e ka fshirë emrin e policit sepse nuk ka të bëjë më çështje individuale”, ka shtuar tutje ai.

Gashi thotë se polici është provokuar nga pyetja e Aidës e cila e ka pyetur se si matet e qeshura, e që sipas tij ai ishte dashur që të veprojë ndryshe dhe jo ta dënojë.

SHPËRNDAJE