U përkujtua dëshmori Avni Hajredini

Në 18-vjetorin e rënies në mbrojtje të shqiptarëve në Lagjen e Boshnjakëve, që ishin sulmuar barbarisht nga bandat kriminale serbe në shtëpitë dhe pronat e tyre, është përkujtuar dëshmori i kombit Avni Hajredini.

Në pllakën përkujtimore ku është vra nga ushtarët francez të KFOR-it, në veri të lumit Ibër, “Lagjen e Boshnjakëve” dhe tek varrezat e dëshmorëve në Shipol, kanë vu lule të freskëta dhe kanë bërë homazhe familjarë të dëshmorit, nënkryetari Faruk Mujka, drejtorët komunal, përfaqësues të lagjes dhe qytetarë të tjerë.

Nënkryetari Mujka duke folur për këtë figurë emblematike të luftës për çlirimin e vendit dhe vendosmërisë e përkushtimit për të mbrojtur edhe pas përfundimit të luftës shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës nga sulmet e vazhdueshme të bandave serbe, tha se dëshmori Hajredini ishte njëri nga luftëtarët më trima dhe më të vendosur për të mbrojtur vendin, shkruan Veriu.info.

“Dëshmori Avni Hajredini, është një figurë e jashtëzakonshme që meriton respekt e nderim për jetë e mot. Ai në të gjitha rastet dha maksimumin për të mirën e kombit e të atdheut dhe sidomos për të mirën e Mitrovicës. Mbrojti me ngulm mësimin shqip nga policia kriminale, luftoi si luan për çlirimin e vendit nga okupatori dhe ra heroikisht në mbrojtje të shqiptarëve të lagjeve veriore të Mitrovicës ”, ka thënë nënkryetari Mujka.
Për kontributin e dëshmorit Avni Hajredini për çështjen kombëtare dhe për çlirimin e vendit e të Mitrovicës, folën edhe familjarët e tij.

Dëshmori Hajredini ishte vra më 13 shkurt të vitit 2000 në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të qytetit të Mitrovicës, në momentin kur po kalonte nëpër lumin për të dalë në veri në mbrojtje të shqiptarëve që ishin sulmuar barbarisht nga bandat kriminale serbe duke ushtruar terror të vërtetë mbi ta dhe po ndiqeshin nga shtëpitë e tyre.


SHPËRNDAJE