U raportua se 7 gjyqtarë janë pro dekretit të Thaçit – përgjigjet zyrtarisht Gjykata Kushtetuese

Në kohën kur po pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim lidhur me dekretin e Presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për krijim e qeverisë së re, presionet ndaj gjyqtarëve janë shtuar. U raportua se tashmë shtatë nga nëntë gjyqtarët e gjykatës më të lartë në vend, janë pro dekretit të Presidentit duke i dhënë 15 ditë afat mandatarit Hoti për qeverinë.

Insajderi ka kërkuar një koment nga Gjykata Kushtetuese lidhur me këto pretendime. Zyrtari për informim, Veton Dula i ka quajtur lajme të paska.

“Këto janë lajme të pasakta dhe nuk qëndrojnë. Gjykata ende nuk ka vendosur. Vendimi meritor përkitazi me kërkesën në tërësi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve të interesit”, ka thënë Dula.

Dula ka shtuar se Gjykata do ta informojë publikun për çdo vendimmarrje sapo të merret vendimi.

“Sipas praktikës së deritanishme, Gjykata e informon opinionin publik për çdo vendimmarrje, në të njëjtën ditë pas përfundimit të seancave shqyrtuese”, ka thënë Dula.

Kanë mbetur edhe pak ditë që Gjykata Kushtetuese të merr vendim rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatim të Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për kryeministër presionet ndaj Kushtetueses kanë nisur në forma të ndryshme.

Provat për protesta dhe paralajmërimi për mbajtjen e tyre në masë më të madhe, letrat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dërguar Komisionit të Venecias, Parlamentit Evropian, janë vetëm disa nga format përmes së cilave kryeministri në detyrë, po mundohet të ndikojë në vendimin e Kushtetueses për dekretin e presidentit Thaçi, që të jetë në favorin e tij.

Më 30 prill të këtij viti presidenti Hashim Thaçi, ka dekretuar të nominuarin e LDK-së, Avdullah Hotin për kryeministër të vendit.

Menjëherë, pas dekretimit të Hotit, Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatës Kushtetuese vendimin e presidentit, Hashim Thaçi.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, më 29 maj.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE