U traumatizua nga tërmeti, futbollisti ndahet zyrtarisht me Kukësin

Kukësi ndahet zyrtarisht me Tome Kitanovskin. Ajo që gazeta bëri me dije ekskluzivisht në numrin e datës 5 dhjetor, tashmë është fakt. Maqedonasi ka refuzuar të rikthehet jo vetëm te Kukësi, por edhe në Shqipëri. Trauma që ka përjetuar nga tërmeti 6.4- ballësh e ka detyruar që të marrë familjen dhe të kthehet me urgjencë për në vendlindje.

kitanovski

Nuk e la me kaq, pasi më vonë kërkoi me ngulm “divorcin”. Frika ishte më e fortë në këtë rast, ndaj që prej asaj të marte nuk u duk më në stërvitjet e verilindorëve. Edhe pse drejtuesit u munduan që ta qetësonin, nuk ia dolën dot. Të dorëzuar, ata pas 14 ditësh e kanë lënë të lirë.

“Panorama Sport” ka kontaktuar me zyrtarë të lartë të klubit, të cilët pohuan se e kanë mbyllur përfundimisht marrëveshjen me 27-vjeçarin. Madje, lojtari vetëm që të fitonte lirinë ka falur rrogën e fundit dhe disa detyrime të tjera financiare të prapambetura. Tashmë kontrata është ndërprerë dhe ai ka marrë letrat. Tome Kitanovsk madje, ka kërkuar që edhe shkresat t’ia çojnë me email, vetëm e vetëm që të mos shkelë më në Tiranë.

Kujtojmë që pas lëkundjeve të forta të 26 nëntorit ai u kthye në Maqedoni, pasi klubi i la pushim dy ditë futbollistët. Por, kur rinisi stërvitja, vetëm mbrojtësi nuk u duk. Mungesa e tij e detyroi trajnerin që ndaj Tiranës të fuste Emiljano Mustën në atë krah dhe duhet thënë që nuk i doli keq, pasi elbasanasi zhvilloi një ndeshje spektakolare. Ai ishte një nga afrimet cilësore të merkatos së verës.

Kukesi

Kishte disa oferta, por drejtori Nexhipi e bindi që të firmoste me verilindorët. Edhe vetë trajneri Shpëtim Duro e pëlqente si lojtar, madje pak ditë më parë për gazetën tha se mungesa e tij do t’i prishte punë. “Është e vërtetë që Kitanovski bashkë me bashkëshorten e tij e lanë Shqipërinë ditën e tërmetit. Ai nuk e përballoi dot psikologjikisht këtë traumë dhe kërkoi me insistim të largohej. As unë dhe as drejtuesit nuk mund të japim ultimatume, por di të them që ishte një lojtar i rëndësishëm për ne në këto ndeshje të mbetura”, u shpreh tekniku.

SHPËRNDAJE