Ushtrohet Kallëzim Penal, pretendohet se ish-kryshefi keqpërdori pozitën me fatura (Dokument)

Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Unioni” në Mitrovicë, Gazmend Morina, po pretendon se ish-Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj kompanie, Skënder Tahiraj, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke nënshkruar fatura pas përfundimit teë mandatit të tij. Për këtë, Morina ka ushtruar kallëzim penal ndaj Tahirajt, shkruan Gazeta Express.

Kallëzim penal Tahirajt ka ushtruar një tjetër Kryeshef Ekzekutiv i Kompanisë së Mbeturinave në Mitrovicë. Gazmend Morina, po pretendon se ish-kryeshefi e të njëjtës kompani, ka nënshkruar faturat e një kompanie private pas kohës kur i kishte skaduar kontrata e punës.

Në kallëzimin penal të siguruar nga Gazeta Express, bëhet e ditur se me datën 15 tetor të vitit 2018, i dyshuari Skënder Tahiraj, ka pranuar faturat e kompanisë private “Visi Com”, duke e vendosur nënshkrimin e tij dhe këtë e ka bërë me datën 15 tetor 2018, ndërsa mandati i tij në cilësinë e kryeshefit ekzëkutiv në ndërmarrjen KRU “Uniteti” ka skaduar me 29 shtator të vitit 2018.

Sipas këtij kallëzimi penal, rezulton se 17 ditë pas përfundimit të marrëdhënies së punës dhe mandatit të tij, Tahiraj i ka nënshkruar faturat për të cilat nuk ishte përgjegjës. Tashmë si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv ishte Hajzer Istrefi.

Po ashtu në kallëzim penal thuhet se përveç se Tahiraj i ka nënshkruar faturat e kompanisë private pas mandatit të tij, kompania në fjalë, “Visi Com”, është në pronësi të Rifat Bekës, i cili është punëtor në KRM “Uniteti”, e kjo gjë përbën konflikt interesi.

Sipas këtij kallëzimi penal, lidhja e dëmshme e kontratës në favor të personit të tretë dhe në dëm të ndërmarrjes publike , paraqet vepër penale.

“Me këtë të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të parashikuar në Nenin 291, paragrafi 1, Lidhja e kontratës së dëmshme, me të cilën përcaktohet se personi përgjegjës i cili ushtron veprimtari ekonomike që lidh kontratë për të cilën e di se është e dëmshme për organizatën e biznesit apo që lidh kontratë në kundërshtim me autorizimet e tij dhe me këtë i shkakton dëm organizatës së biznesit, dënohet me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet”, thuhet në kallëzim penal.

“…Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, personi zyrtar i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e petrsonit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në 6 vjet burgim, si dhe veprën tjetër penale nga Neni 424 të Konfliktit të Interesit”, theksohet në kallëzim penal.

Parashtruesi i Kallëzimit Penal, Gazmend Morina, po kërkon nga Prokuroria e Shtetit që pas dëgjimit të të dëmtuarit dhe vlerësimit të fakteve relevante, po ashtu pas marrjes së Aktvendimit mbi fillimin e hetimeve, ndaj të dyshuarit, ish-shefit ekzekutiv, të caktohet masa e paraburgimit./Express

————

Ndryshe, Skender Tahiraj njihet si njëri ndër personat më të afërt të Sami Lushtakut, ku ndaj tij Prokuroria ka ngitur aktakuza për dyshimin për blerje të dëshmitarëve në favor të Sami Lushtakut, më konkretisht për blerjen e dëshmitarit “F” në rastin Drenica. (https://kallxo.com/shkurt/paraburgim-per-ish-kryeshefin-e-kompanise-se-pastrimit-ne-mitrovice/)

Po ashtu ndaj Skender Tahirajt ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria, për shkak të dyshimit se i ka ndihmuar Sami Lushtakut të arratiset nga QKUK-ja. (https://kallxo.com/shkurt/sami-lushtaku-para-gjyqit-per-arratisjen-nga-qkuk-ja/)

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE