Vajton Vuçiq: Amerika po ua merr votat serbëve në Kosovë

Gjykata Supreme e Kosovës: Me dokumente serbe nuk mund të votohet. Vuçiq: SHBA kanë miratuar vendimin, duan që në qeveri t’i fusin të dëgjueshmit.

“Amerikanë kanë miratuar vendimin e Prishtinës që në zgjedhje të 6 tetorit të votohet vetëm me dokumente kosovare”, ka thënë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor me të cilin nuk lejohet votimi personave me dokumente serbe, e që të martën e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme e Kosovës.

“Një vendim i tillë paraqet problem për popullin tonë dhe është marrë për arsye që me çdo kusht të futen në qeveri serbët e dëgjueshëm, ata të cilët do të punojnë sipas urdhrave të ambasadës së SHBA, e jo ata të cilët do të bashkëpunojnë me Beogradin. Mirëpo, kot e kanë. Mund t’i merrni serbëve 3.000 vota, do të shihni më 6 tetor, Lista Serbe do të fitojë përsëri, përkundër të gjitha kufizimeve, fushatave dhe sulmeve”, ka pretenduar Vuçiq.

Për shkak të këtij vendimi, Lista Serbe ka ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila u refuzua.

Përndryshe përveç Listës Serbe, prej partive serbe në zgjedhje marrin pjesë edhe Partia e Pavarur Liberale e Sllobodan Petroviqit, koalicioni “Liria” në të cilin janë Partia Progresive Demokratike e Nenad Rashiqit dhe Partia e Re e Dragisha Miriqit, si dhe përfaqësuesit e dy iniciativave qytetare dhe kandidatët e pavarur Rada Trajkoviq dhe Sllobodan Petkoviq.

Për zgjedhje është paraqitur edhe Partia e Serbëve të Kosovës, lideri i të cilës është Aleksandar Jabllanoviq.

SHPËRNDAJE