Vdes një i burgosur në Spitalin e Pejës

KMDLNj ka njoftuar se në Spitalin Rajonal të Pejës, rreth orës 01:25 e martë (në mëngjes) ka ndërruar jetë i burgosuri H.G. i lindur me 06.07.1943.

I burgosuri H.G. ka qenë i sëmurë rëndë dhe tërë kohën ka qëndruar në stacionarin e Burgut të Dubravës ndërsa ka qëndruar edhe në Spitalin Rajonal në Pejë dhe QKUK – në Prishtinë.

Sipas KMDLNj-së, për një kohë ka pasur ndërprerje të vuajtjes së dënimit pas së cilës është kthyer në Burgun e Dubravës.

I burgosuri H.G. është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë me 29.08.2017. Gjatë qëndrimit në Spital në Pejë pranë tij kanë qenë anëtarët e familjes dhe i është ofruar trajtim shëndetësor mirëpo nuk është evituar vdekja.

Gjithashtu , duhet të theksohet se ka qenë në procedurë edhe një ndërprerje e vuajtjes së dënimit por se vdekja e të burgosurit H.G. nuk ka mundur të evitohet.

Trupi i pajetë është dërguar për autopsi ndonëse familja ka kërkuar që të mos bëhet autopsia por se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve ka kërkuar që të respektohet ligji dhe të bëhet autopsia.

“KMDLNj e ripërsërit qëndrimin që të dënuarit që janë të sëmurë dhe pa mundësi të shërohen duhet të lirohen me procedurë të përshpejtuar dhe raste të tilla ka ende në Burgun e Dubravës dhe burgjet tjera.

Nëse nuk ka mundësi të shërohen atëherë duhet t’iu mundësohet që ditët e fundit të jetës t’i kalojnë pranë familjarëve të tyre”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

SHPËRNDAJE