Vehbi Kajtazi: Parimi nuk është frikacak, i lig, kriminel si ata që e rrahën

Shkruan Vehbi Kajtazi

Kriminelët gabohen rëndë nëse mendojnë se e kanë frikësuar Parimin. Sepse po të ishte frikacak dhe i lig si ata, do të ishte në krah të sulmuesve dhe porositësve të sulmit, e jo përballë tyre. Në luftë me ta.

Të mërkurën natën, Parimin e kanë sulmuar tre burra. E kanë lënduar fizikisht duke e rrëzuar përtokë. Por, profesionalisht e shpirtërisht jo.

Ai tashmë ka dalë në punë si çdo ditë tjetër për të nisur një ditë të re. Për të shkruar si çdo ditë tjetër. Për të kallëzuar të keqen që po e kapërthen çdo ditë e më shumë këtë vend. Këtë shtet. Këtë shoqëri.

Autorët e sulmit fizik mbi të në prani të të fejuarës, Gentës, ende nuk dihen. As porositësit e këtij sulmi. Mirëpo, motivi është i qartë. Ai gjendet brenda shkrimeve që për autor kanë Parim Ollurin të botuara në Insajder dhe mediat tjera tash e një dekadë.

Parimin e kanë sulmuar ata që ndjehen të rrezikuar prej punës së tij. Prej të vërtetës. Prej gazetarëve hulumtues.

Parimin e kanë sulmuar sepse nuk është si sulmuesit, e as si porositësit e këtij sulmi. Sepse po të ishte si ata, Parimi do të merrte atë çantën me para kur ia kishin ofruar disa vjet më parë.

Parimin e kanë sulmuar sepse nuk kishte pranuar të hynte në marrëveshje me Adem Grabovcin, kur kishte dërguar sekserin në këmbim të ndaljes së publikimit të shkrimeve dhe përgjimeve të tij.

Parimin e kanë sulmuar sepse asnjëherë nuk ka bërë kompromis me ata që e kanë sulmuar. Nuk është si ata, kriminelë, i korruptuarë, tinëzarë, e i lig.

Po të ishte si ata do të jetonte do të jetonte në një vilë luksoze i mbytur në para të pista.

Po të ishte si ata do të jetonte në fqinjësi me Astrit Haraqinë në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë.

Po të ishte si ata, do të jetonte në fqinjësi me Ramush, Daut e Frashër Haradinajn në Marigona Rezidence.

Po të ishte si ata, do të shpenzonte 250 euro për një natë në klube të Prishtinës, siç shpenzojnë djemtë e Adem Grabovcit, aq sa paguan për qiranë mujore të banesës në hyrje të së cilës e kanë sulmuar.

Po të ishte si ata, do të ishte milioner e përfitues tenderësh si vëllezërit e presidentit Hashim Thaçi.

Po të ishte si ata, do të ishte biznesmen dhe do të fitonte tenderë nga Zyra e Kryeministrit, siç fitojnë djemtë e Isa Mustafës.

Po të ishte si ata, do të shiste viza dhe do të bënte sekserin politik siç bën Ukë Rugova.

Po të ishte si ata, do të uzurponte toka nga të cilat do të fitonte mbi 30 milion euro, siç bën Azem Syla.

Po të ishte si ata, do të uzurponte pompa benzine, hotele, banesa, e shtëpi.

Po të ishte si ata, do të mund të bëhej edhe Mr. Sc. Dr. dhe do të ligjëronte në disa prej universiteteve e kolegjeve në Kosovë.

Po të ishte si ata, mund të ishte njëri prej porositësve të një sulmi mbi një gazetar tjetër që do të guxonte të shkruante për kriminalitetin e tij.

Por, nuk është si ata. Për këtë arsye e kanë sulmuar. E kanë rrahur.

Do të mund edhe ta vrisnin për ta eliminuar fizikisht. Por, kurrë nuk do ta vrisnin të vërtetën: se ai nuk është si ata. Është krejtësisht tjetër. Është i drejtë dhe parimor.

Sulmuesit dhe porositësit mbase mendojnë se ia kanë arritur qëllimit – frikësimin e Parimit dhe kolegëve tjerë të paktë që guxojnë të shkruajnë, të hulumtojnë e të flasin për të keqën që i është shkaktuar dhe po i shkaktohet vendit.

E kanë gabim. Nuk e kanë frikësuar. Sepse po të ishte frikacak dhe i lig si ata, do të ishte në krah të sulmuesve dhe porositësve të sulmit, e jo përballë tyre. Në luftë me ta.